Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot pas ratifikimit nga Parlamenti të protokollit me qeverinë italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit.
Përmes një postimi në X, ish-Twitter, Rama u shpreh se Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet të përballojë e bashkuar si një familje e tërë përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta.
“Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm mes Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje e tërë, përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale mes së majtës dhe së djathtës, duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorim këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa shton ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt”, u shpreh Rama.