Maqedonci: Zgjatimi i Rusisë në Ballkan është Serbia – vazhdon të ketë qasje agresore ndaj Kosovës

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka marrë pjesë në panelin e diskutimit me temë “Misionet e stabilizimit si instrument për ruajtjen e paqes” në kuadër të konferencës “Defence 24”.

Maqedonci tha se në këtë panel theksoi rolin e pazëvendësueshëm të shteteve anëtarë të NATO-s dhe intervenimin e tyre të suksesshëm në Kosovë me qëllim ndërprerjen e gjenocidit dhe çlirimin e Kosovës, por sipas tij, s’mund të thuhet se në Ballkan, nuk ekziston më rreziku.

“Derisa po zhvillohet agresioni rus në Ukrainë, zgjatimi i Rusisë në Ballkan, Serbia, po i njëjti shtet që shkaktoi luftën në vitin 1999 në Kosovë, vazhdon të ketë qasje agresore ndaj Kosovës. Sulmi në Banjskë në shtator të vitit të kaluar, dëshmoi që mendësia e njëjtë hegjemoniste vazhdon të ekzistoj në mesin e kastës drejtuese të Serbisë”.

“Grupet terroriste të sulmit në Banjskë janë financuar nga institucionet qeveritare serbe, ashtu si dhe institucionet paralele e grupet kontrabanduese në veri të Kosovës, me qëllimin primar destabilizimin e shtetit të Kosovës”, shkroi Maqedonci.

Më tej, ai tha se vendosja e tre nga katër brigadat e Ushtrisë së Serbisë në afërsi të kufirit me Kosovën, me rreth 48 baza ushtarake, përbën shqetësim për Kosovën, e po ashtu edhe fakti që sipas tij, Serbia po vazhdon të investojë në blerjen e sistemeve të armatimeve sulmuese.

“Interesat e Serbisë dhe Rusisë janë të dyanshme, datojnë qysh nga shekulli i XVIII. Një gjendje jostabile në Ballkan do t’i shërbente si Rusisë në vazhdimin e luftës me qëllim aneksimin e Ukrainës, ashtu edhe Serbisë në ushqimin e idesë iluzive për krijimin e Serbisë së Madhe”.

“Është e dukshme që Serbia është shumë më e afërt me politikat e lindjes sesa ato perëndimore, prandaj është shumë e rëndësishme vazhdimi i pranisë së trupave të NATO-s në Kosovë, për aq kohë sa nuk kemi shenja të qarta të reflektimit nga ana e Serbisë dhe demokratizimit të njëmend të saj”, tha ai.