Maqedonci: Serbia ka dislokuar në jug të saj tri nga katër brigadat e tyre ushtarake, ka rrezik dhe jemi nën kërcënim

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se vendi është në rrezik nga kërcënimet e vazhdueshme të Serbisë, pasi kjo e fundit po mbështet grupet e armatosura paramilitare.

Maqedonci gjithashtu thotë se Serbia ka dislokuar tri brigada ushtarake në jug të territorit të saj dhe përgjatë vijës kufitare me Kosovën ka vendosur 48 baza operacionale.

Ai gjithashtu tha se Bashkimi Evropian po heziton të sanksionojë Serbinë për aktin e agresionit në Banjskë të Zveçanit, teksa vlerëson se ende ka rrezik e kërcënim për përsëritje të këtij rasti.

Megjithatë, ministri i Mbrojtjes zotohet se kanë marrë të gjitha masat që vendi të jetë i gatshëm të përballet me këto kërcënime, në koordinim me KFOR-in dhe partnerët tjerë.

“Në aspektin e mbrojtjes, në aspektin e përgatitjes së fushës së mbrojtjes mund të them lirisht se jemi shumë afër NATO-s, mirëpo dihet se vendimi për të qenë pjesë e NATO-s është vendim politik dhe që ndërlidhet edhe me hezitimin e disa vendeve mosnjohëse të Republikës së Kosovës, por vlerësoj se do të jemi pjesë e NATO-s kur ta zgjidhim këtë problemin e vendeve mosnjohëse”, u shpreh Maqedonci.

“Serbia ka dislokuar në jug të territorit të saj tri nga katër brigada e saj ushtarake me qëllim që të mbaj në presion Republikën e Kosovës, duke i shtuar kësaj edhe 48 baza të përparme operacionale që janë vendosur në kufi me Kosovën. E gjithë kjo gjendja na lë të dimë që ka rrezik dhe gjithmonë vendi ynë është nën kërcënim”, u shpreh ndër tjera ai.

Futja e armatimit nga terroristët serbë në Kosovë, Maqedonci thotë se është bërë në dy vjetët e fundit. Sipas tij, KFOR e ka të pamundur që të kontrollojë gjithë hapësirën kufitare me Serbinë.

Më tej, ministri foli edhe për furnizimin me armatim dhe pajisje ajrore, për çka thotë se blerja e helikopterëve është paraparë në periudhën 2025-2028, teksa shton se i gjithë zhvillimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës po bëhet në përputhje me standardet e NATO-s. Ai shprehet optimist se Kosova është afër anëtarësimit në aleancën më të madhe ushtarake.

Maqedonci për KP po ashtu përmendi edhe ushtrimin “Defender Europe”, ku deklaroi se Forca e Sigurisë së Kosovës do të jetë nikoqire e stërvitjes më të madhe ushtarake ndërkombëtare.

Në fillim të vitit të kaluar është validuar regjimenti i parë i këmbësorisë për të kryer detyra luftarake. Këtë vit do të validohet regjimenti i dytë, po ashtu edhe gjatë vitit 2025 në kuadër të ushtrimit “Defender Europe 25”, me çka do të përmbyllet faza e dytë e tranzicionit të Forcës.

Edhe sa i përket furnizimit me armatim, Maqedonci thotë se janë para planit dhe se janë pajisur me sistemet më moderne për ndërtimin e një ushtrie profesionale, teksa deklaron se prioritet mbetet ndërtimi i kapaciteteve për mbrojtjen e vendit dhe kapaciteteve ushtarake për mbështetje të autoriteteve civile.

Maqedonci theksoi si të arritur të vitit të kaluar edhe funksionalizimin dhe punën e Qendrës Kombëtare të Kërkim Shpëtimit, që është pjesë e gardës kombëtare të FSK-së.

Ministri i Mbrojtjes deklaroi po ashtu se gjatë vitit 2023 nuk ka pasur largime apo dorëzim të uniformës, në dy rastet që përmend thotë se janë për shkaqe personale e të cilët kanë dorëzuar arsyetim.