Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha Forca e Sigurisë së Kosovës po armatoset dhe se blerja e sistemeve raketore Javelin nga SHBA-ja është “shumë domethënës për ne”.
Armatosja e FSK-së, Maqedonci tha se është e planifikuar dhe e koordinuar me SHBA-në.
“Faza e tretë do të fillojë në vitin 2025 dhe përfundon në vitin 2028. Kjo do të jetë faza finale e tranzicionit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, ku ne do të ndërtojmë edhe kapacitete tjera, siç janë kapacitetet e mbështetjes ajrore dhe kapacitetet e artilerisë”, tha Maqedonci.
Ai tha se një pjesë të kësaj artilerie tashmë e posedon FSK-ja. Buxheti shtesë, Maqedonci tha se “ka ndikuar dukshëm që ne të zhvillojmë këto kapacitete shumë më përpara se që kanë qenë të planifikuara dhe aktualisht, e kemi si informacion që kemi në vend kapacitetet e mbështetjes ajrore përmes dronëve Bajraktar por dhe planifikojmë të ndërtojmë edhe kapacitete tjera”. “Gjithashtu, kemi edhe sistemet tjera qe tanimë i kemi në funksion”, tha ai.
“Të gjitha këto kapacitete janë duke u ndërtuar në bashkëpunim me partnerët tanë dhe të gjitha blerjet që janë bërë, janë bërë në përputhje me standardet e NATO-s, pra të gjitha pajisjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës janë pajisje që blihen nga vendet e NATO-s, janë sipas standardeve të NATO-s dhe janë të planifikuara në inventarin e pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, tha Maqedonci.
Ai foli edhe se si Serbia po zbaton kundër Kosovës “taktika dhe formate të ndryshme të luftës”, ndërsa foli për “rrezik shumë të lartë” për luftë.
Maqedonci tha se në synimet destabilizuese Serbia po ndihmohet nga strukturat e inteligjencës së Rusisë.
“Serbia kundër Republikës së Kosovës është duke zbatuar taktika dhe formate të ndryshme të luftës, mes tyre janë edhe kërcënimet hibride, pra, përmes sulmeve hibride që nënkupton angazhimi i forcave konvencionale në bashkëpunim me forcat jokonvencionale kundër Republikës së Kosovës, në këtë rast, informacioni është një ndër elementet, propaganda, mund të themi është një ndër elementet që Serbia është duke shfrytëzuar ndër vite për të rrezikuar, për të cenuar stabilitetin në vendin tonë, por gjithashtu për të influencuar dhe për të mbajtur nën kontroll qytetarët serbë të Kosovës, të cilët, fatkeqësisht një pjesë e tyre, jo të gjithë, janë të ndikuar nga kjo propagandë në raport me integrimin në strukturat dhe shoqërinë e Republikës së Kosovës. Ky informacion në vazhdimësi është pasqyruar nëpërmjet formave të ndryshme, 50% e mediave ne Serbi mbesin pa autorë, janë media të cilat nuk dihet se ku e kanë bazën dhe këto media kanë tejzgjatje edhe në Republikën e Kosovës dhe tentojnë në vazhdimësi që të krijojnë një situatë ku do të vinim në pikëpyetje stabilitetin e vendit tonë, duke tentuar për të krijuar trazira sociale por edhe telashe të tjera për qytetarët e vendit tonë”, tha Maqedonci në një intervistë për The Geopost.
“Është për tu theksuar që një ndër pikat kryesore të shërbimit sekret rus për të destabilizuar një vend, pra, për të gjunjëzuar një shtet është informacioni, dhe informacioni gjithmonë synon krijimin e një depresioni kolektiv, depresion ky që vërehet edhe në vendin tonë dhe që unë vlerësoj që ka bazament strukturat e inteligjencës të Serbisë të mbështetura edhe nga strukturat e inteligjencës së Rusisë”, tha ai.