Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar sot se Qeveria i ka kërkuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës ta zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 për tokën e Manastirit të Deçanit. Ai ka bërë të ditur se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, i ka dërguar notë verbale njoftuese Këshillit të Evropës.
Gazetari i FAZ, Michael Martens, ka publikuar Notën Verbale të dërguar nga Gërvalla, ku tregohet për vendimin e Qeverisë së Kosovës që të udhëzojë Agjencinë Kadastrale për kalimin e 24 hektarëve tekManastiri dhe gjithashtu në këtë Notë Verbale konfirmohet se Agjencia Kadastrale e ka implementuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke i regjistruar hektarët në pronësi të Manastirit të Deçanit.
Gërvalla në shkresën e saj ka thënë se institucionet e Kosovës do të vënë në dispozicion të Këshillit të Evropës edhe certifikatën për posedimin e pronës , ku konfirmohet regjistrimi në emër të Manastirit të Deçanit.
Ajo po ashtu ka shprehur pritjet e saj që pas këtij vendimi të Kosovës të ketë epilog pozitiv në takimin e muajit maj për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës.
Better late than never: The government of Kosovo has informed the Council of Europe that property belonging to the monastery of Decani has been registered as such. Local politicians in the area will thus no longer be able to stand in the path of justice. Good. pic.twitter.com/NilBxQhmsE
— Michael Martens (@Andric1961) March 13, 2024
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, kryeministri ka thënë se kjo është bërë për shkak se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që kërkon transferimin e 24 hektarëve tokë te Manastiri i Deçanit, do të ishte vendimtar për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës, gjatë Asamblesë Parlamentare të këtij institucioni, që do të mbahet në prill.