Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një shkrim në lidhje me zgjedhjet e jashtëzakonshme që mbahen në Serbi më 17 dhjetor.
Në shkrimin e tyre, LVV-ja ka treguar se e mbështet listën “Beteja politike e shqiptarëve vazhdon – Shaip Kamberi”.
Tutje, në shkrimin e publikuar para dy orëve, LVV-ja thotë se Serbia aktualisht udhëhiqet nga një regjim antishqiptar.
“Vëmendja dhe mbështetja jonë e parezervë është për shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanovcit. Në 17 dhjetor do të ketë zgjedhje në Serbi, ku aktualisht udhëheq një regjim antishqiptar, e një president si Vuçiqi, i cili ëndërron të rikthehet në pozitat e paraardhësit të tij, Milosheviqit.” – shkruhet aty.
Në shkrim theksohet se LVV-ja është në mbështetje të listës së udhëhiqet nga Shaip Kamberi, aktualisht deputet në Kuvendin e Serbisë.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! do të mbështesë Listën “Beteja politike vazhdon – Shaip Kamberi” me numër 13 në fletën e votimit. Nesër në Prishtinë do të organizohet një tubim në organizuar nga Lista, ku janë të ftuar të gjithë e posaçërisht ata që kanë prejardhje nga Lugina.” – shkruhet tutje.