Sekretari Organizativ i LVV, Alim Rama, i është drejtuar me një letër zyrtare Presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, duke kërkuar emërimin e anëtarit të tretë të Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e subjektit që ai përfaqëson.
Në letrën e tij, Rama i referohet vendimit të Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila nuk e ka pranuar kërkesën e Presidentes për vlerësimin e konfliktit të mundshëm ndërmjet kompetencave kushtetuese, sipas nenit 113 (3) (1) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (rasti KO81/26). Sipas tij, kjo situatë krijon hapësirë që të procedohet më tej me emërimin e anëtarit të tretë të KQZ-së, konkretisht Nijazi Isaku.
Në përmbajtjen e letrës theksohet se kërkesa e LVV-së mbështetet në nenin 139, paragrafi 4 të Kushtetutës, si dhe në dispozitat përkatëse të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.
Po ashtu, përmendet edhe aktgjykimi KO 58/19 i Gjykatës Kushtetuese, ku theksohet se përbërja e KQZ-së duhet të reflektojë rezultatin zgjedhor dhe përfaqësimin real politik në Kuvend.
Rama nënvizon se standardet ndërkombëtare për administrimin e zgjedhjeve, përfshirë praktikat e vendeve evropiane dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, kërkojnë që anëtarët e komisioneve zgjedhore të reflektojnë si pozitën ashtu edhe opozitën, në përputhje me rezultatin zgjedhor.
Në këtë kontekst, ai argumenton se duke qenë se legjislacioni aktual nuk e përcakton qartë ndarjen e vendeve në KQZ në rastet kur në Kuvend ka më pak grupe parlamentare, duhet të merret për bazë rezultati i zgjedhjeve të fundit. Sipas tij, në zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, LVV ka fituar mbi 57% të votave, duke siguruar 57 deputetë nga 100 në Kuvend (pa përfshirë vendet e rezervuara), çka sipas Ramës e justifikon kërkesën për një përfaqësim më të madh në KQZ.
Ai shton se përfaqësimi në KQZ nuk është vetëm çështje procedurale, por lidhet drejtpërdrejt me respektimin e vullnetit të qytetarëve të shprehur përmes votës. Në këtë drejtim, Rama i bën thirrje Presidentes Osmani që të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe praktikat demokratike, duke mundësuar funksionalizimin e plotë dhe të drejtë të KQZ-së.
Në fund, ai thekson se një vendimmarrje e tillë do të kontribuonte në forcimin e besimit publik në institucionet zgjedhore dhe në ruajtjen e standardeve demokratike në vend./Telegrafi/
