Lufta e kunatave për një vend pune, por zgjidhet reja e drejtorit

Dhuratën më të madhe për Shën Valentin, Fitore Jusufi – Zeqiri e mori jo nga bashkëshorti, por nga vjehrri i saj, Sahit Zeqiri.

Zeqiri, i cili është Drejtor i Arsimit në Komunën e Obiliqit, më 14 shkurt ia dhuroi rejës së tij një vend pune si sekretare në shkollën “Ibrahim Rugova”, në Obiliq.

Konkursi, në të cilin doli e para reja e drejtorit komunal të Arsimit, ishte kryekëput një proces i kurdisur.

Në shpalljen për këtë vend pune, i cili u hap më 14 dhjetor të 2023-ës, aplikuan vetëm katër persona: reja e drejtorit të Arsimit, Fitore Jusufi – Zeqiri, kunata e saj, bashkëshortja e vëllait, Fortesa Haziri – Jusufi, Samire Arifi dhe Mimoza Hashani.

Kjo e fundit u tërhoq nga konkursi, duke mos marrë fare pjesë në testin me shkrim dhe duke e ngushtuar garën vetëm në tre kandidatë.

Kështu, në fazën e parë të konkursit morën pjesë vetëm dy kunatat Jusufi dhe Samire Arifi, e cila u eliminua qysh në fillim, pasi nuk arriti ta kalonte dot testin me shkrim.

Testin me shkrim e kaluan vetëm reja e drejtorit dhe kunata e saj.

Kështu, gara për pozitën e sekretares mbeti mes kunatave Jusufi.

Pas intervistës me gojë, më 14 shkurt komisioni publikoi rezultatet e konkursit, sipas të cilave, në vendin e parë doli me 93 pikë, Fitore Jusufi – Zeqiri, reja e drejtorit të Arsimit, Sahit Zeqiri, shkruan Klan Kosova.