LRF Gjakovë mandaton Agim Nurën për anëtar të Komitetit Ekzekutiv për mandatin e ardhshëm 4-vjeçar

Lidhja Rajonale e Futbollit e Regjionit të Gjakovës mbajti këtë të premte Kuvendin e Rregullt Zgjedhor, në të cilin morën pjesë 15 nga gjithsej 16 delegatë të Kuvendit.

Gjatë punimeve të Kuvendit të LRF Gjakova u bë harmonizimi i Statutit të kësaj Lidhjeje me statutin e Federatës së Futbollit të Kosovës, ndërsa ndër pikat e rendit të ditës ishte zgjedhja e kandidatit të propozuar për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së për Kuvendin Zgjedhor më 5 shkurt.

Në bazë të vendimit të Bordit të LRF Gjakova të datës 12 dhjetor 2025 dhe në përputhje të plotë me dispozitat e statutit të FFK-së, u shpallën zgjedhjet për anëtar të Komitetit Ekzekutiv të FFK-së nga radhët e LRF Gjakova.

Delegatët e Kuvendit të LRF Gjakova propozuan z. Agim Nura si kandidat për përfaqësues të Regjionit të Gjakovës në Komitetin Ekzekutiv të FFK-së. Kjo kandidaturë u miratua unanimisht nga të gjithë delegatët e pranishëm në Kuvend.

Në fjalën e tij pas rizgjedhjes për një mandat tjetër si anëtar i Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, Nura shprehu falënderimet për besimin dhe mbështetjen e dhënë, duke theksuar përkushtimin e tij të vazhdueshëm për zhvillimin dhe avancimin e futbollit në Regjionin e Gjakovës.

“Ju falënderoj për besimin dhe mbështetjen e vazhdueshme. Ky mandat përbën një përgjegjësi shtesë për mua dhe do të angazhohem me përkushtim maksimal për zhvillimin, avancimin dhe forcimin e futbollit në Regjionin e Gjakovës dhe në nivel kombëtar”, tha Nura duke iu drejtuar delegatëve të Lidhjes Rajonale të Futbollit të Regjionit të Gjakovës.