Autobusë nga Kosova, me qindra udhëtarë, kanë mbetur të bllokuar që nga mbrëmë në kufirin Serbi-Kroaci, meqë janë ndaluar nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Gazeta Express ka siguruar një video ku shihen udhëtarë grumbull në mes të rrugës, të cilëve u janë marrë dokumentet personale. Disa udhëtarë kanë thënë se tani policia kufitare u ka thënë kompanive të autobusëve që tash mund të vazhdojnë rrugën, por pa udhëtarët që i kanë ndaluar për verifikim.
Lidhur me këtë rast, ka reaguar Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diaporës, qytetarët e Kosovës që po vinin në drejtim të Kosovës janë ndaluar edhe në kufirin me Hungarinë, në pikat kufitare në Shid dhe Suboticë, te vendkalimi kufitar Dheu i Bardhë dhe nuk po lejohen as të lëvizin përpara dhe as të kthehen pas.
MPJD ka thënë se për këtë ka njoftuar shtetet e QUINT-it, Institucionet e BE-së dhe të tjera institucione ndërkombëtare, derisa ka apeluar të gjithë bashkatdhetarët dhe qytetarët që janë në lëvizje të evitojnë me çdo kusht kalimin nëpër Serbi dhe të ndjekin me vëmendje situatën.