Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka thënë se Qeveria Kurti duhet ta ketë në konsideratë interesin e Kosovës dhe të largohet nga pushteti.
Ai, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, ka deklaruar se kryeministri Albin Kurti duhet të japë dorëheqje.
“Stagnimit të Kosovës duhet t’i vije fundi. Qasja e re në politikën e brendshme dhe të jashtme do ndryshuar. Deri sa nuk u arritën asnjë nga qëllimet e programit të partisë në pushtet, dorëheqja është shenjë pjekurie. Dorëheqja e Kryeministrit nuk do të thotë shkuarje e menjëhershme në zgjedhje”.
“Dorëheqja si akt moral për rrethanat e krijuara, nuk e ligë Kryeministrin. Me këtë akt nuk mbaron bota. Prandaj, dorëheqja do të ishte akt edhe guximi, edhe vizioni të pambaruar në ofertën për qytetarët në zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë Lladrovci.
Lladrovci ka pohuar se: “Kosova meriton më mirë, më shumë, më shpejtë dhe dorëheqja e Kryeministrit do të ishte rast e mundësi për qytetarët, të zgjedhin tejkalimin e stagnimit ekonomik, ndalimin e degradimit të raporteve me aleatët dhe perspektivën euro-atlantike”.