Limaj: VV të spjegojë pse e mbajti vendin të vonuar deri tani

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, pas zgjedhjes së Dimal Bashës për kryetar të Kuvendit, kërkoi që Lëvizja Vetëvendosje të japë një shpjegim për qytetarët e Kosovës lidhur me vonesat në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

“Le të japë një shpjegim pse e kanë vonuar vendin deri me tani sa muaj. Shpresoj që do ta kenë një shpjegim para qytetarëve të Kosovës pse është vonuar vendi deri me tani”, tha Limaj.

Basha u zgjodh sot kryeparlamentar pas muajve të tërë ngërçi në Kuvend. Ai mori 73 vota për, duke marrë mbështetje edhe në Partinë Demokratike e Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.

Nisma në vazhdimësi ka abstenuar me tre deputetët e vet. Kjo parti pati thënë se është Limaj ai që duhej të bëhej kryetar i Kuvendit.