Ligji në Kushtetuese – si do të lëshohen pagat këtë muaj?

Gjatë ditës së djeshme, Avokati i Popullit dërgoi në Kushtetuese Ligjin për Paga.

Duke e konsideruar si proces jodemokratik miratimin e këtij ligji dhe konsideratën se tri nene nuk janë në përputhje me aktin më të lartë juridik të shtetit tonë, konfirmuan kërkesën e institucionit mbrojtës qytetar drejtuar gjykatës më të lartë.

Por, si do të rrjedhin gjërat tash? Sa kohë ka Kushtetuesja që të vendosë për këtë kërkesë? A do të ketë masë të përkohshme?

Këtyre pyetjeve u është përgjigjur Naim Jakaj, hulumtues në KDI. Jakaj, në një prononcim për lajmi.net, ka shpalosur detaje rreth prcedurave të mëtutjeshme sa i përket kësaj kërkese dërguar autoriteteve.

Fillimisht, ai tha se sekretari dorëzon një kopje te pala kundërshtare dhe palët tjera në procedurë, me kërkesën për të marrë përgjigje brenda 45 ditëve.

“Avokati i Popullit ka dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese brenda afatit të paraparë me Kushtetutë dhe Ligjin për Gjykatën Kushtetuese, ku më tutje janë të specifikuara edhe afatet mbi vendimmarrjen në rast të kontestimit të një ligji të caktuar. Fillimisht, Sekretaria e GjK-së dorëzon një kopje palës kundërshtare dhe palëve të tjera në procedurë, me kërkesën për të dorëzuar përgjigje, arsyetim dhe prova të tjera të nevojshme. Afati për ta bërë këtë është 45 ditë”, u gjegj ai.

Tutje, njohësi i Drejtësisë pohoi faktin se në momentin që kërkesa pranohet, atëherë propozim aktgjykimi do të sillet për shqyrtim për të gjithë gjyqtarët për një periudhë tjetër prej dhjetë ditësh.

Këtu kujtoi faktin se në vitin 2020 një procedurë e tillë ka shkuar deri në gjashtë muaj.

“I gjithë dokumentacioni shqyrtohet nga gjyqtari raportues i cili brenda 30 ditëve ka afat që raportojë lidhur me faktet, lejueshmërinë dhe themelësinë e kërkesës. Në rast se kërkesa, përgjigjet në kërkesë, janë të paqarta ose dokumentacioni është i pakompletuar, gjykata ka edhe një afat tjetër prej 15 ditëve për të marrë përgjigje nga pala.

Pas kësaj procedure, kolegji shqyrtues duhet të vendosë nëse kërkesa i plotëson kushtet formale për procedim të mëtutjeshëm. Në rastin kur kolegji shqyrtues vendosë mbi pranueshmërinë e kërkesës, atëherë propozim aktgjykimi do të sillet për shqyrtim për të gjithë gjyqtarët për një periudhe prej dhjetë ditësh. Në rastin e kaluar, pra në vitin 2020, kur është vendosur për Ligjin për Paga, procedura e vendosjes për ligjin për paga, ka shkuar deri në gjashtë muaj”.

Ndërkaq, në pjesën e fundit, Jakaj, foli edhe për masën e përkohshme. Sipas kërkesës së dorëzuar dje, nuk ka propozim për masë të përkohshme. Gjithsesi, kjo nuk do të thotë se një të tillë mos ta caktojë Kushtetuesja.

“Sipas kërkesës të dorëzuar dje në Gjykatën Kushtetuese vërehet se Avokati i Popullit nuk ka propozuar Masë të Përkohshme për pezullimin e ligjit deri në vendosje nga ana e kësaj gjykate. Rrjedhimisht, punëtorët e sektorit publik do t’i marrin pagat sipas ligjit aktual në fuqi. Megjithatë, mos kërkesa e Avokatit të Popullit për masë të përkohshme, nuk e ndalon Gjykatën Kushtetuese, që sipas detyrës zyrtare të vendos përkohësisht masa të përkohshme ndaj një çështje që është objekt i procedurës, në këtë rast të pezullojë dispozitat që janë kontestuese nga Avokati i Popullit”, përfundoi ai për redaksinë tonë.