Policia e Shtetit bëjnë me dije se është arrestuar 37-vjeçari nga Kosova, Migjen Mulaj dhe dy punonjësit e karburantit në Lezhë 61-vjeçari Nikoll Sokoli dhe 52-vjeçari Kujtim Rusi pas sherrit të ndodhur një ditë më parë.
Pas konfliktit verbal, 37-vjeçari nga Kosova fillimisht i ka goditur fizikisht e më pas me automjetin e tij ka tentuar t’i shtypë dy punonjësit e karburantit.
Njoftimi i Policisë:
Zbardhet dhe dokumentohet konflikti i ndodhur ditën e djeshme në ambientin e një karburanti, vihen në pranga 3 personat e përfshirë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë arrestuar në flagrancë shtetasit
– M. M. 37 vjeç, banues në Kosovë për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Shkatërrim prone”.
– N. S. 61 vjeç dhe K. R. 52 vjeç, banues në Lezhë, për veprat penale ” Plagosje e rëndë me dashje kryer në bashkëpunim”.
Arrestimi i tyre u bë pasi në vijim të veprimeve të thelluara hetimore me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ka rezultuar se:
Rreth orës 18:30 të ditës së djeshme, në ambientet e një karburanti në aksin rrugor Lezhë-Milot, shtetasi kosovar M. M. pas një konflikti të çastit për motive të dobëta që ka patur me dy shtetasit shqiptarë N. S. dhe K. R. (punonjës pranë këtij karburanti), i ka goditur fillimisht fizikisht dhe më pas me automjetin e tij ka tentuar që ti përplasë duke u rrezikuar jetën. Si pasojë e tentativa me automjet, shtetasi M. M. është përplasur me ambientet e brendshme të karburantit, duke i dëmtuar.
Në vijim të konfliktit, dy punonjësit e karburantit e kanë goditur shtetasin M. M. me mjete të forta në trup (shkopinj) duke i shkaktuar dëmtime fizike, i cili aktualisht ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Në spital për ndihmë mjekësore, ndodhet edhe shtetasi N. S. i cili ka marrë gjithashtu dëmtime fizike, por jashtë rrezikut për jetën.