Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, po qëndron në Arabi Saudite, një prej vendeve më me ndikim në Lindjen e Mesme. Osmani ka realizuar një takim të madh në Riad, kryeqytetin saudit. Shefja e Shtetit, pra Osmani, është pritur nga Muhamed bin Selam, Princi i Kurorës së Mbretërisë së Arabisë Saudite, që de facto është lideri fuqiplotë i këtij shteti.
Në takim është vërejtur edhe një detaj i rëndësishëm. Më saktë, një njeri i rëndësishëm. Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, është parë në takimin e presidentes Osmani me princin Selman. Në fotografitë e publikuara nga Osmani, Tërnava shihet i ulur menjëherë në afërsi të presidentes.
Osmani ka shkruar se ishte nder i veçantë pritja që iu bë delegacionit kosovar nga Selmani i Arabisë Saudite.
“Mirënjohje e përhershme për Mbretërinë e Arabisë Saudite për miqësinë dhe mbështetjen e palëkundur ndaj popullit të Kosovës përgjatë disa dekadave.
Si dy shtete që e ndajmë përkushtimin për paqe, stabilitet dhe bashkëpunim, me padurim presim të thellojmë raportet tona përmes marrëveshjeve të reja dhe zgjerimit të horizonteve të bashkëpunimit për të mirën e të dyja vendeve” – ka shkruar Osmani, transmeton Gazeta Politika.
Pjesëmarrja e Tërnavës në delagacionin e Kosovës, me shumë gjasë i ftuar personalisht nga zonja Osmani, është një lëvizje e mençur e presidentes.
Duke pasur parasysh kontekstin e Arabisë Saudite, pjesëmarrja e myftiut Tërnava, lider i BIK-ut dhe njohës i gjuhës arabe, është një mundësi më shumë për diplomaci personale mes Myftiut e zyrtarëve sauditë.
Për më shumë, pjesëmarrja e myftiut Tërnava hy në kuadër të diplomacisë publike, potencialisht duke kontribuar në ndërtimin e imazhit të butë të Kosovës në Arabinë Saudite.
Tërnava është parë edhe në një takim tjetër që Osmani e realizoi në Riad. Tërnava ishte pjesë e takimit që Osmani e delegacioni kosovar realizuan me Hussein bin Abdullah al-Hashimi, princin e Kurorës së Mbretërisë Hashemite të Jordanisë.
“Gjatë takimit, konfirmuam gatishmërinë për thellimin e partneritetit dhe diskutuam mënyrat për të hapur kapituj të rinj bashkëpunimi në fusha me interes të përbashkët, përfshirë mbrojtjen, tregtinë dhe teknologjinë e informacionit (ICT)” – ka shkruar Osmani për këtë takim.
Përveç takimeve, Osmani nga Arabia Saudite do të rikthehet edhe me një arritje të madhe diplomatike për Kosovën. Sot Osmani njoftoi se Siria ka njohur shtetin e Kosovës.
“Populli i Kosovës dhe ai i Sirisë kanë vuajtur e sakrifikuar shumë për ta arritur lirinë. Prandaj kjo njohje e ndërsjellë sot nuk është vetëm e sovranitetit shtetëror, por edhe njohje e sakrificës së shumë brezave për të jetuar të lirë” – ka shkruar Osmani, ndër të tjera.



