Lekaj i AAK-së: Sondazhet na qesin me 10%, LVV-ja nuk i ka më tepër se 39%

Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, ka konstatuar se sondazhet tregojnë se AAK do ta kalojë pragun në zgjedhjet e ardhshme.

Ai ka thënë se këto rezultate i kanë nxjerrë në sondazh para njëzet dite, ku AAK ka dalë me përkrahje 10 për qind.

Lekaj shtoi se LVV nuk i ka më tepër se 39% përkrahje, jo ashtu siç deklaroi ditë më parë deputeti i VV-së, Arbër Rexhaj, se i kanë 60%.

“Ajo që ne kemi pasë, sondazhe para njëzet dite, AAK dikund është përafërsisht 10%. Nuk është e vërtetë që Lëvizja Vetëvendosje i ka më tepër se 39%. Partia e dytë është LDK, pastaj PDK, dhe AAK.”

“Jemi solid dhe shpresoj që me punën dhe konstruktivitetin tonë, edhe ndaj asaj që po ndodh në Kosovë dhe përkrahje Qeverisë, pa kushtëzim, në veri të Kosovës, edhe punës tonë në terren dhe opozitarizmit në favor të qytetarëve, Aleanca është mjaft solide, e konsoliduar në terren. Ne përçdo ditë kemi aktivitete dhe e shohim përkrahjen e qytetarëve”, deklaroi ai në ATV.

Deputeti Pal Lekaj tha se përkrahja e qytetarëve është relative, ndaj Kurti nuk duhet të ekzaltohet.

“Sa i përket 60%, unë mendoj që Qeveria Kurti më tepër janë ka marrin vendime elektorale, dhe vendimet populiste apo elektorale janë si baloni, që shumë lehtë pëlcasin. Njëjtën po mendon që, me një betejë të fituar, tani masa do ta përkrahë në vazhdimësi. Nuk është ashtu. Po të njëjtën na kanë përkrahë qytetarët për taksën 100%, dhe ne kemi menduar që me të vërtetë kemi përkrahje të fuqishme të popullatës, mirëpo ja që na ka dalë ndryshe.”

“Vetkënaqësia e Kurtit, është e vërtetë që për momentin ka pasë një përkrahje, e kemi përkrahë edhe ne, mirëpo kjo nuk do të thotë që zoti Kurti apo LVV i ka 60%. Ajo që me të vërtetë e ka pasë falë profesionalizmit të Policisë së Kosovës ia kemi dal që të kemi sukses me 24 shtator. Qeveria ka pasë mundësi që 24 shtatorin ta kthejë në fitore diplomatike”.