LDK u kritikua për podkastin e Abdixhikut, Kica-Xhelili i del në mbrojtje shefit

Pasi dje u njoftua për hapjen e një “Podcast”-i të LDK nga kryetari i saj Lumir Abdixhiku, jo pakkush u lëshua në humore therrëse, e madje duke e parë edhe si një imitim të kryeministrit shqiptar, Edi Rama, i cili po ashtu ka Podcast-in e vet.

Për këto reagime s’ka qëndruar e heshtur deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelil, duke i dalë në mbrojtje këtij formati të ri të marrëdhënies së LDK-së me publikun – (i.e) Podcast-it.

Reagimi:

Mendësia e eksponentëve politik shfaqet më së shumti kur ata më së paku janë të vetëdijshëm që po zbërthejnë vetveten.

Shembull konkret ishte komentimi i djeshëm i një zyrtari (ta quajmë të tillë) të VV, i cili ironizoi me Podcast të LDK, dhe me një personalitet kosovar shumë të dashur për publikun, i cili përmes humorit të tij prek e zbërthen paradigma shoqërore si askush tjetër.

Ndoshta është mësuar me viralitet të TikTok por jo zbërthim përmbajtësor e informues që rrjedh nga një Podcast. Ndoshta nuk njeh rëndësinë e elaborimit politik përmes sfidimit nga personalitete argëtuese e shume sfiduese si Besim Dina, ku dikur rritej e ngritej pikërisht kryeministri i sotëm. Nuk e di!

Di që për një të ri në moshë, si ai, kjo ngushtësi e të menduarit është e dhimbshme.