LDK e gatshme për zgjedhje, Haziri: Nëse është i gatshëm Kurti, shkojmë sonte

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, në një lidhje direkte në Pressing në T7 tha se LDK është e gatshme për zgjedhje, pasi para pak minutash kryeministri Kurti kërkoi bashkëpunimin e opozitës për mbajtjen e tyre.

Por Haziri vlerësoi se “kryeministri nuk është gati”.

“Nga sonte nga nesër fillon me u numëru mbrapsht koha për zgjedhje, sa i përket LDK-së gati në çdo kohë, por nuk po besoj që kryeministri është gati. Ka fillu me u akomodu dhe po i intereson më shumë një mandat kalendarik sesa një mandat me agjendë të realizuar”, tha Haziri në Pressing, transmeton Express.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, në të cilin prezent ishin edhe Mimoza Kusari nga LVV dhe Abelard Tahiri nga PDK.