Kryetari i Rahovecit, Smajl Latifi ka njoftuar për dëme të mëdha në komunë si pasojë e reshjeve të dendura. Ai ka kërkuar përkrahjen urgjente të Qeverisë së Kosovës për të dalë nga kjo situatë.
Tashmë është formuar Shtabi Emergjent me vendim të Komunës, ndërkohë që Latifi ka paralajmëruar edhe formimin e komisioneve të veçanta për vlerësimin e dëmeve.
Ky është njoftimi i plotë i Latifit:
Dëme të mëdha nga vërshimet dhe përmbytjet në Rahovec, kërkojmë përkrahjen urgjente të Qeverisë
Që nga orët e hershme të mëngjesit jemi duke u ballafaquar me gjendje të rënduar, pas reshjeve të shumta të shiut, e për këtë qëllim kemi formuar edhe Shtabin Emergjent të komunës së Rahovecit, i cili është mbledhur, sot në orën 10:00.
Përmbytjet nga ujërat dhe pasojat që kemi në shtëpi banimi, ekonomi familjare, biznese, hapësira dhe objekte publike, bujqësi etj. i kemi parë nga afër në shumë zona të komunës sonë, posaçërisht, në: Fortesë, Sapniq, Ratkoc, Malësi e Vogël, Gexhë, Celinë, Xërxë, Dejnë, Krushë e Madhe, Nagac, Çifllak, Hoçë e Vogël, Dobidol …etj.
Me vendimin tim do të formohen komisione të veçanta të vlerësimit, të cilat do të regjistrojnë dëmet e mëdha si në: amvisëri, ekonomi të shumta familjare e biznese, bujqësi dhe infrastrukturë publike. Po bëjmë krejt çka është e mundshme si komunë, e pas hartimit të raporteve të vlerësimit, do të kërkojmë nga institucionet qendrore në Prishtinë përkrahje direkte për mbulimin e dëmeve.
Derisa moti të përmirësohet, probleme të tilla do të mund të na përsëriten, andaj bëjmë thirrje që rastet tuaja t’i adresoni në këtë numër emergjent:
*029-277-555- Njësia e zjarrfikësve-Rahovec
Drejtoria e Shërbimeve Publike me Njësinë e Zjarrfikësve, Drejtorinë e Bujqësisë, Stacionin Policor Rahovec, kompanitë e kontraktuara nga komuna jonë dhe ekipet e shumta vullnetare, janë duke punuar pandërprerë, në mbrojtje të qytetarëve dhe pronave të tyre si dhe për evitimin e rrezikut nga vërshimet, si dhe sanimin e pasojave. Nëse vazhdojnë reshjet me intensitet të lartë, dëmet mund të jenë edhe më të mëdha.