Zëvendëskryeministri për Integrime Evropiane dhe dialog, Besnik Bislimi ka thënë se nuk dëshiron të spekulojë nëse do t’i hiqen masat ndëshkuese Kosovës, në mbledhjen e sotme të Komitetit Politik dhe të Sigurisë (PSC).
Ai tha se Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret për largimin e masave, megjithëse shtoi se ka pasur kërkesa nga vendet anëtare që kanë kërkuar koncensione shtesë por Kosova sipas tij s’ka pranuar të shantazhohet.
“Ka pas në vazhdimësi jo nga Brukseli direkt por nga vendet anëtare edhe kërkesa që kanë shkuar përtej arsyes që janë vendosur masat, janë kërkuar koncesione shtesë, por Kosova nuk ka pranuar të shantazhohet në këtë drejtim”, ka thënë Bislimi gjatë raportimit në Komisionin për Integrime Evropiane.
Bislimi ka shtuar se masat kanë qenë të padrejta dhe ndaj Kosovës janë bërë kërkesa për koncesione shtesë dhe kjo sipas tij tregon që më së paku faji ka qenë i Republikës së Kosovës për vendosjen e këtyre masave.