LAJMI I FUNDIT: Zhvillime të reja, Kurti merr këtë vendim në lidhje me grevistët

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ftuar në takim anëtarët e Këshillit Grevist të BSPK-së.

Këtë e kanë thënë për të teve1.info, burime brenda këtij këshilli. Sipas këtij informacioni takimi do të mbahet në orën 08:00 të martën në mëngjes.

BSPK dhe SBASHK që nga 25 gushti kanë hyrë në grevë, duke kërkuar ndarje të 100 eurove për të gjithë punëtorët deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga.

Për një ftesë të tillë teve1.info i ka shkruar edhe zëdhënësit të Qeverisë, Përparim Kryeziu, por deri në publikimin e artikullit nuk ka marrë ndonjë konfirmim.

Qeveria e Kosovës këto kërkesa i kishte quajtur irracionale. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, që nga hyrja në grevë nuk kishte zhvilluar asnjë takim me kreun e SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, ndonëse ka zhvilluar takime me kryetarin e BSPK-së, Atdhe Hykollin.

Në një takim në fundin e javës së kaluar të Këshillit Ekonomik Social, u tha se ka shenja pozitive për arritjen e një marrëveshje, por që deri të hënën nuk u arrit ndonjë marrëveshje.

Më 3 shtator Qeveria e Kosovës kishte prezantuar pakon për përballimin e inflacionit, ku pjesë e saj ishte edhe ndarja e 50 euro për muajin shtator për punëtorët e sektorit publik.

Edhe Këshlli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut të hënën u ka bërë thirrje Qeverisë e BSPK-së të gjejnë një zgjidhje për ndërprerjen e grevës.

Të dielen edhe Këshilli i Prindërve të Kosovës ka bërë thirrje që të ndërpritet greva dhe të nis procesi mësimor. Ky Këshill ka paralajmëruar edhe hapa për kundërshtimin e grevës.