Akil Gjakova është dorëzuar në Polici, pasi i njëjti që nga mëngjesi kërkohej nga Policia, si i dyshuar për dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar avokati i tij, Asdren Mekaj.
“Akili ka qenë jashtë shteti për ta trajtuar një lëndim trupor, në mënyrë që të përgatitet për kampionatin evropian, mirëpo me të kuptuar që është shpall në kërkim, menjëherë është nisur drejt Kosovës dhe tashmë e kam koordinuar edhe me policinë për të vazhduar me procedurat tjera”, tha Mekaj.
“Akili nuk i është shmang drejtësisë, nuk i shmanget asnjëherë dhe pavarësisht çdo gjëje që pretendohet se ka ndodh, ai edhe me tutje ruan respektin për familjen e tij dhe apelon që të pritet fjala e fundit e drejtësisë, e jo te gjykohet publikisht sepse e vërteta është më ndryshe”.
“Do bashkëpunojmë me organet e drejtësisë për t’u sqaruar çdo gjë dhe për t’i mundësuar Akilit që sa më parë të kthehet në garat e xhudos që e presin atë dhe Republikën e Kosovës. Akili është dhe mbetet kampion që na ka bërë krenarë te gjithëve, nuk është dhunues e nuk pajtohet me dhunën asnjëherë”, tha tutje avokati.