“Ka ende mjaft kohë dhe punë që duhet të bëjmë”. Miroslav Lajçak nuk po largohet aq shpejt. I dërguari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi është kthyer me kompetenca ‘shtesë’ në një përpjekje të radhës për t’i çuar Kosovën dhe Serbinë drejt zbatimit të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve. Ai të martën ishte në Prishtinë dhe tha se kjo nuk do të jetë vizita e fundit e tij.
Miroslav Lajçak u kthye. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Europian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë erdhi të martën në Kosovë, nga ku njoftoi se do të mbetet në këtë pozitë deri në fillim të vitit të ardhshëm. Megjithëse mandati i tij i rregullt përfundon në fund të gushtit dhe nga 1 shtatori do të duhej ta niste punën si ambasador në Zvicër, ai tha se i është kërkuar që të mbajë edhe pak pozitën që ka dhe se ka shumë punë për të bërë deri sa të largohet përfundimisht.
Vizita në Prishtinë, e më pas edhe në Beograd, ai tha se “ka të bëjë me mënyrën e ripërqendrimit në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe çfarë hapash konkret do të ndërmarrim”.