I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka folur në prag të takimeve të kryeministrit kosovar, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, me liderët evropianë në Bruksel.
Lajçak ka thënë se nuk negociojnë në mënyrën ‘merre ose lëre’, teksa theksoi se ka pritje të larta nga takimi i sotëm.
“Kam pritje të larta, të vazhdojmë përpara”, tha Lajçak për Kanal10.
Emisari i lartë theksoi se presin edhe implementimin e marrëveshjes.
I pyetur nëse është dita e një dokumenti për marrëveshjen ‘“’merre ose lëre’”’, Lajçak tha se nuk negociojnë në atë mënyrë.
“Ne nuk negociojmë më mënyrën “Merre ose lëre, kjo duhet të jetë pajtim mes dy palëve në të cilën jemi duke iu ndihmuar”, tha ai.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, sot në Bruksel do të takohen me udhëheqësit e vendeve kryesore të Bashkimit Evropian, në kuadër të përpjekjeve perëndimore për të ripërtërirë procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve, raporton Gazeta Sinjali.
Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz, kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni dhe shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, fillimisht do të takojnë Kurtin, e më pas Vuçiqin.
Sipas agjendës së publikuar nga faqja zyrtare e Bashkimit Evropian, takimet do të nisin në orën 13:30.
Nuk ka plan për takim të përbashkët me udhëheqësit e të dyja vendeve, por një gjë e tillë nuk është përjashtuar, varësisht nga rrjedha e takimeve të ndara.
Takimet e sotme ndodhin pak ditë pasi të dërguarit perëndimorë paraqiten në Prishtinë dhe Beograd një plan për zbatimin e marrëveshjes së arritur me herët gjatë këtij viti në Bruksel dhe në Ohër.
Zyrtarët evropianë thanë se pjesë e diskutimeve të Brukselit do të jetë edhe “një propozim bashkëkohor evropian për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, që është edhe pika më e vështirë e procesit të bisedimeve Kosovë – Serbi.
Kurti dhe Vuçiq u takuan për herë të fundit më 14 shtator, por pa ndonjë përparim.
Dhjetë ditë më vonë ndodhi sulmi në Banjskë, ku grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës, duke vrarë një zyrtar policor.
Gjatë përleshjeve, që nxitën shqetësime për qëndrueshmërinë në rajon, u vranë edhe tre sulmues serbë.
Procesi i dialogut që synon normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë nisi në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së dhe mbështetjen e SHBA-së.
Palët arritën dhjetëra marrëveshje për këtë qëllim, por shumë prej tyre nuk u zbatuan kurrë.
Një nga to është edhe ajo për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.