Lajçak bën bilancin – përmend takimet me temë dialogun, por s’tregon se do ta vizitojë Prishtinën dhe Beogradin

Përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka treguar për takimet që ka pasur javën që shkoi, takime këto që në fokus e kishin dialogun, zhvillimet në rajon dhe zgjedhjet e fundit në Serbi.

Mirolsav Lajçak, që pritet të vizitojë Prishtinën të martën më 30 janar dhe Serbinë të hënën më 29 janar, nuk ka ndarë detaje nga këto vizita, por vetëm ka bërë një rikapitulim të aktiviteteve të tij nga java e kaluar.

Lajçak thotë se “ka qenë javë e ngarkuar në Bruksel – nga përgatitjet e udhëtimit deri te takimet me bashkëbisedues nga rajoni,  si me atë nga Fronti i Gjelbër-Majtas Serb si dhe me Ministrin e Jashtëm maqedonas Bujar Osmani dhe ata që merren me rajonin duke përfshirë eurodeputeten Viola von Cramon dhe të dërguarin norvegjez për Ballkanin perëndimor Haakon Blankenborg. Sigurisht që në diskutimet tona dominuan dialogu, si dhe zhvillimet e shumta rajonale dhe zgjedhjet e fundit në Serbi”.

Gjithashtu, ai informon se krahas këtyre angazhimeve të punës, ka pasu një takim që e ka quajtur të këndshëm “edhe me Kryetarin e Këshillit Kombëtar të Republikës Sllovake Peter Pellegrini, i cili po vizitonte institucionet evropiane. Ishte një mundësi e shkëlqyer për të diskutuar çështjet kyçe të politikës së jashtme evropiane dhe peizazhin aktual të Brukselit”.