Ky është i dyshuari që e kërcënoi policin për një rast që po hetohej, ndalohet për 48 orë

Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze  gjatë kryerjes së detyrave zyrtareve, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Në shumicën e këtyre incidenteve, motivi lidhet me punën e tyre.

Cak i kërcënimit së fundmi ka qenë edhe një hetues policor në Policinë Rajonale në Mitrovicë, i cili ka raportuar se është kërcënuar nga një person që ishte objekt i hetimit në një rast të grabitjes që ai po e hetonte.

Sinjali ka mësuar se i dyshuari që përfundoi në ndalim policor është Besim Bislimi, 44-vjeçare.

Bislimi po hetohet nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Kanosja”.

Ndryshe, hetuesi policor që e ka raportuar rastin, ka deklaruar se i dyshuari në vazhdimësi e ka kanosur e madje edhe e ka ngacmuar.

Lajmin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Mitrovicë.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se është duke u ngacmuar dhe kanosur nga një i dyshuari mashkull kosovar. I dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.”

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.