Raportimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Kuvendin e Kosovës nuk ka sjell ndonjë detaj rreth përmbajtjes së draft-statutit të Asociacionit.
As pas tetë orë debati të ashpër në mes të deputetëve të opozitës dhe shefit të ekzekutivit, ky i fundit nuk ka dhënë ndonjë element të rëndësishme rreth dokumentit që e ka pranuar nga pesëshja diplomatike më 21 tetor.
Pavarësisht kërkesave të deputetëve të opozitës për ta publikuar draftin, kryeministri Albin Kurti ka refuzuar ta bëj një gjë të tillë.
Ai ka bërë me dije se këtë nuk mund ta bëj për shkak të kërkesës së emisarëve euro-amerikan.
Megjithatë, Kurti ka thënë se dokumentin në fjalë e ka ndarë me presidentes e Kosovës, Vjosa Osmani.
Madje, kryeministri Kurti është tallur me këtë kërkesë të opozitës.
“Unë e kuptoj kërkesën e juaj, që ta shihni draftin. Emisarët europianë dhe ata amerikanë më thanë mos me tregu draftin. Tash a me koordinim a pa, qysh po doni, se jam në hall me juve? Ata më thanë mos e bën publik. E kam ndarë me Presidenten, sepse është shefja e shtetit. Jam në koordinim të vazhdueshëm me amerikanët dhe europianët. Ata kanë kërkuar të mos e bëj publik, jam i korrdinuar me ta. Qysh po doni qysh me ja kallxu a me koordinim a pa koordinim. Për besë jam në hall me juve”, ka thënë ai.
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka mohuar pretendimet e Kurtit.
Ajo ka bërë me dije dokumentinnë fjalë e kanë edhe deputetët e VV-së.
“Kryeministër nuk është e vërtet që askush nuk e ka draftin e Asociacionit. E kanë plot deputet të juaj, kryeparlamenti është procuar, presidentja. Pra e kanë pranuar vet se e kanë lexuar këtë statut. Nëse duhet me u mbajt fshet prej deputetve të opozitës. Edhe ne kemi të drjt me e pasë atë dhe sot n bazë të atij drafti me diskutu këtu”, ka thënë Kadrijaj.
Liderët opozitarë duhet të informohen
Kjo qasje e kryeministrit Albin Kurti është kritikuar nga njohësit e rrethanave politike. Ata i kanë dhënë të drejtë opozitës. Sipas tyre, kryeministri Kurti duhet ta bëj publik draft-statutit.
Gazetari Adriatik Kelmendi ka bërë me dije se kryeministri do të duhej që në një takim të mbyllur të ua prezantonte draftin tre liderëve opozitarë.
“Nëse nuk bën të bëhet publik drafti i statusit për Asociacionin, pse së paku ai nuk po i tregohet në një takim të mbyllur Krasniqit, Abdixhikut e Haradinajt? Pse Kurti po e merr krejt përgjegjësinë mbi vete për këtë thembër të Akilit të dialogut, kur të njëjtin nuk e kanë zbatuar as partitë e tjera kur kanë qenë në qeveri?”, ka shkruar Kelmendi në profilin e tij në “Facebook”.
Sipas tij, ata përfaqësojnë gjysmën e qytetarëve të Kosovës dhe duhet ta shohin atë dokument.
“Tek e fundit me 50% Kurti përfaqëson vullnetin e vetëm gjysmës së votuesve, gjysma tjetër kanë votuar për partitë e tjera. I mirë i keq, nuk arsyetohet që gjysma e përfaqësuesve të popullit të mbahen në terr!”, ka shkruar Kelmendi.
Qasjen e kryeministrit e ka kritikuar edhe analisti politik Shenoll Muharremi.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar se në procesin e dialogut Kuvendi i Kosovës është jashtë loje.
“Pak me zoom out, e kuptojmë që roli dhe ndikimi i deputetëve dhe kuvendit të Kosovës fatkeqësisht është minimal. Sot partitë politike kanë bërë më shumë një garë elektorale dhe politike mes vete. Ironia e demokracisë këtu është se si një kuvend i një shteti nuk ka një ndikim në një ndër çështjet më të ndijshme në territorin e saj pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Kryesisht 2-3 persona në Kosovë e kanë propozimin dhe ai do të publikohet pasi që të pajtohet mes palëve. Kuvendi jashtë loje. Nuk është kjo demokraci”, ka shkruar ai./Nacionale