“Kushtetuta lejon vetëm një valutë”, Kurti vazhdon ‘rezistencën’ ndaj ndërkombëtarëve për dinarin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar në mbrojtje të vendimit për çështjen e dinarit serb, për ta ndaluar përdorimin e kësaj valute në Kosovë.

Kreu i ekzekutivit ka insistuar se vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për rregulloren e re të çështjes së dinarit është i drejtë, dhe se kjo është konform Kushtetutës së Kosovës, që valuta e vetme në vend të jetë euro.

Në një intervistë për gazetarin e radio Monocle, Kurti tha se duan të ndihmojnë serbët e Kosovës dhe asnjë Qeveri më përpara nuk ka ndihmuar këtë komunitet se Qeveria aktuale.

“Ne nuk po përjashtojmë dinarin, mund të keni dinarë në Kosovë por mjet për pagesa është euro, sipas Kushtetutës mund të ketë vetëm një valutë. Ne duam të ndihmojmë serbët dhe nuk ka qeveri që kur kemi shpallur pavarësinë që i  ka ndihmuar komunitetit serb më shumë se ne”, ka thënë Kurti.

Tutje lidhur me vendimin e BQK-së, Kurti ka thënë se fillimisht nuk ka qenë në dijeni. Ai më tej është shprehur se presioni ndaj tij filloi pasi Vuçiq propagandoi se  ky vendim do të sjellë “katastrofë” për serbët e Kosovës.

“Më 28 dhjetor të vitit të kaluar, Banka Qendrore mori këtë vendim, për rregulloren e re dhe bënë mirë. Nuk kisha ide për këtë vendim apo për drafitmin e kësaj rregullore. Gjithçka ishte duke shkuar mirë dhe pa probleme dhe në mes të janarit, pikërisht pasi përgatitjet po shkonin mirë, presidenti serb Vuçiq alarmoi rajonin dhe Evropën se “katastrofa” do të ndodhë prej 1 shkurtit kur dinari do të përjashtohet. Dhe atëherë presioni  ndaj meje filloi, kur Vuçiqi foli“, deklaroi Kurti.