Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila, ka thënë për Ekonomia Online se mundësia që të arrihet një marrëveshje për dinarin në takimin e sotëm, varet nga bashkësia ndërkombëtare, nëse është në gjendje ta bind Serbinë të mos jetë “palë destruktive” në dialog.
Kusari-Lila ka thënë se Kosova në këto takime ka treguar se është e hapur për të gjetur zgjidhje për dinarin serb, ndërsa të kundërtën e mendon për palën serbe.
“Ju keni dëgjuar deklaratat edhe të përfaqësuesit të BE-së po ashtu edhe të palëve që janë në takim këtë rast edhe të Kosovës që pala kosovare ka treguar konstruktivitet dhe vullnet për gjetur zgjidhje në raport me lehtësimin e marrjes së pagesave për përfaqësuesit e komunitetit serb në Kosovë për ata të cilit marrin këto pagesa përmes sistemit bankare dhe valutës zyrtare. Ne kudër të këtyre parametrave apo në kudër të këtyre standardëve duhet të gjendur zgjidhja e lehtësimit të qasjes në mjete siç është kërkuar dhe kemi treguar vullnet për këtë, qoftë me shtyrje të procesit të sanksionimit për ata të cilët kanë proces mund të kenë sfida apo edhe në zbatimin e transfereve, gjegjësisht konvertimin e dinarit në euro dhe lehtësimin e qasjes apo marrjen e këtyre mjeteve. Në veçanti brenga ka qenë për personat e moshës së tretë”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas saj, Serbia në të gjitha aspektet është pala destruktive, duke përfshirë marrëveshjet e mëhershme. Ajo ka përmendur edhe lobimin kundër anëtarësimit të Kosovën në Këshill të Evropës.
“Në këtë aspekt tashmë është bërë e njohur që Serbia është pala destruktive, Serbia në të gjitha elementet edhe të marrëveshjeve të më hershme e këto të fundit të Brukselit dhe Ohrit ka treguar mosvullnet për zbatim dhe shkelje, prej cenimet të sovranitet territorial dhe sigurisë në Kosovë e deri te lobimi intensiv kundër anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, rasti i fundit me KiE. Prandaj a do të këtë sukses ky takim sot do të varet sa do të jetë e suksesshme bashkësia ndërkombëtare ta bind Serbinë të mos funksionoj me destruktivitetin e treguar deri me tani”, ka thënë ajo.
Edhe pas pesë takimesh ku është diskutuar çështja e dinarit, nuk është arritur marrëveshje.