Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosjes Mimoza Kusari-Lila, në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se nuk është e përcaktuar që Kosova duhet që draft-statutin e Asociacionit ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese, para votimit në Këshill të Ministrave për pranimin e Kosovë në Këshillin e Evropës.
Ajo ka thënë se Kosova ka gatishmëri për zbatimin e të gjithave marrëveshjeve të arritura deri më tani, por sipas saj, ato marrëveshje duhet që të jenë të zbatueshme dhe të obligueshme për të dyja vendet pa dallime.
Kusari-Lila ka thënë se nuk mund të konsiderohet që vetëm formimi i Asociacionit mund të jetë mekanizëm për integrimin e komunitetit serb në institucionet e Kosovës, sipas saj, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të të gjithëve pa dallime.
“Republika e Kosovës ka treguar gatishmëri për zbatimin e të gjithave marrëveshjeve të arritura deri më tani, përkundrejt faktit që në disa prej tyre ka pasur jo konsistencë të vazhdueshme por që e kemi konsideruar që marrëveshja e Brukselit dhe plani i zbatimit i Ohrit duhet të jenë të zbatueshme dhe të obligueshme për të gjithë pa dallim. Elementin e thirrjes e cila bëhet që vetëm formimi i Asociacionit është mekanizëm për integrimin e komunitetit serb janë rastet dhe është vetë integrimi i komunitetit serb në pjesët tjera të Republikës së Kosovës që e dëshmon të kundërtën. Më e rëndësishme për Republikën e Kosovës në këtë proces por edhe për të gjithë komunitetit përfshirë ato pakicë është anëtarësimi në Këshillin e Evropës, garancia e vetme dhe kryesore për zbatimin e të drejtave të gjithëve pa dallim në veçanti grupeve të margjinalizuara është anëtarësimi në Këshillin e Evropës apo mekanizmi mbikëqyrës që vjen bashkë me anëtarësimin e Këshillit të Evropës. Asnjë mekanizëm tjetër në veçanti jo ata të kërkuara nga Serbia për arsye se Serbia vet si shtet ka qenë shklesja dhe mbetet kryesore e të drejtave serbe, shteti i cili me mekanizmat e vet indimidon, dhunon dhe dëmton pronën e qytetarëve të vet, luan me procesin e vendimmarrjes për fatin e tyre”, ka thënë ajo.
Kusari Lila ka thënë se dërgimi i draftit të Asociacionit në Kushtetuese dhe themelimi i saj nuk është kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE, por që kjo do të bëhet pas anëtarësimit.
Ajo ka thënë se nuk do të ishte mirë që kjo çështje të bëhej kushtëzim i mëtutjeshëm për Kosovën.
“Si procedurë nuk është kërkuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, sic e dini edhe vetë raportuesja Dora Bakojanis, ka treguar që kjo si procedurë nga institucionet e vendit do të bëhet pas anëtarësimit, siç është konfirmuar dhe në letrën e tre krerëve të shtetit si proces i cili ndërlidh zbatimin e tërë marrëveshjeve të arritura apo dy marrëveshjeve të fundit këtë rast Brukseli dhe Ohrit. Prandaj si i tillë nuk do duhej të ishte para kusht ose kushtëzim i mëtutjeshëm, Kosova deri më tani ka treguar vullnet seriozitet dhe përpikmëri, në zbatim të marrëveshjeve por gjithashtu edhe në ruajte të vlerave demokratike dhe ruajte të paqes dhe sigurisë. Ata të cilët e shkaktojnë këtë janë në anën tjetër të kufirit tonë verior dhe kjo është Serbia, domethënë konfliktet problemet, cenimin e të drejtave të pakicave e bën shteti serb në krye me Aleksandër Vuqic”, ka thënë ajo.