Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka uruar komunitetin e besimit ortodoks që festojnë sipas kalendarit julian, Krishtlindjet.
Kurti, mes tjerash theksoi se kjo festë e krishterë udhëzon për dashuri e besim, mirësi e paqe midis njerëzve.
“Qytetarëve tanë të komunitetit serb të besimit ortodoks që festojnë sipas kalendarit julian, Gëzuar Krishtlindjen! Kjo festë e krishterë udhëzon për dashuri e besim, mirësi e paqe midis njerëzve”, shkroi Kurti.
Ai theksoi se festën e pasurojnë edhe më shumë urimet e përzemërta për harmoni, lumturi dhe mirëkuptim ndërmjet njerëzve, që frymëzim i kanë mësimet e Jezu Krishtit.
“Përveçse kremtë, Krishtlindja është edhe rikujtim për mirënjohje, dashamirësi, devotshmëri dhe shërbim pa kushte ndaj të mirës për të tjerët e për shoqëri më të drejtë për të gjithë. Ta festoni gëzuar Krishtlindjen në familjet tuaja!”, tha kryeministri Albin Kurti.