Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka treguar kronologjinë e ngjarjeve që dërguan deri tek propozimi i fundit franko-gjerman, që ai tha se ishte gati “merre ose lere”.
Kurti thotë se SHBA e përkrah këtë plan, bashkë me shtetet tjera perëndimore.
“5 emisarët ishin bashkë më 15 janar këtu. Që të gjitha janë bashkë. Më shumë do të thosha se është në fazën e propozimit i cili merr shumë nga fryma dhe paragrafët e caktuara në marrëveshjen mes dy Gjermanive”, tha Kurti në Klan.
“Herën e parë kur na kanë sjellur më 9 shtator, nuk ka qenë mere ose lëre. Ndërkaq më 20 janar, për bindjen time pas shumë kohësh pas kishim mundur të takohemi shumë herë, ishte shumë më afër mere ose lere. Propozimi nuk është që nuk nënkupton bisedime të mëtutjeshmne. E pranojmë në parim, duhet ta negociojmë dhe duhet ta shndërrojmë atë propozim në marrëveshje sepse ka shumë të paqarta sidomos për mekanizmat që do ta fusin në funksion. E sjell njohjen de-facto mes shteteve”, shtoi ai.
Kurti thotë se duhet të diskutohet ende për propozimin dhe se ai nuk është final dhe se dallon nga marrëveshja mes dy Gjermanive e vitit 1972.
“Nuk është finale, andaj po them. Është më tepër një marrëveshje bazike e cila bën një marrëveshje mes dy palëve por jo të plotë”
“Dallon, pasi kancelari i atëhershëm gjerman, Willy Brandt, shkoinë Varshave dhe u përul para përmendores së përkujtimit të viktimave të nazizmit gjerman. Ndërkaq Vucici ende e konsideron fabrikim Masakrën e Reçakut”, shtoi ai.
“Është më tepër një marrëveshje bazike, e cila bën normalizim e marrëdhënieve, jo normalizim të plotë. Me marrëveshje që është ligjërisht dhe ndërkombëtarisht e obligueshme, ndonëse jo finale”, tha tutje ai.
Kreu i ekzekutivit foli edhe për ecurinë e propozimit, ku parimisht tha se diplomatët ishin më të hapur për kompromise, kurse së fundmi është kthyer në formatin “mere ose lëre”.
“Herën e parë kur na e kanë sjellë më datë 9 Shtator, nuk ka qenë merre ose lëre. Ndërkaq më datën 20 janar, për shkak se kishin kaluar shumë kohë, për bindjen time pa nevojë, kemi mundur që të takohemi më shpesh, më herët, të bëjmë më shumë, ishte shumë afër merre ose lëre. Prandaj unë siç kam thënë edhe në Shtator, e përsërita në Janar, që është bazë e mirë për diskutime të mëtejshme”.
Ai shtoi se ende ka elemente që duhet diskutuar, por që është pranuar fillimisht si bazë e mirë dhe që negocimet vazhdojnë.
“Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë dhe më pas duhet ta shndërrojmë atë propozim në marrëveshje sepse ka shumë gjëra ende të padefinuara. Sidomos sa i përket garancive ndërkombëtare, mekanizmave implementues, dhe sekuencimin kohor”, tha Kurti.
Kryeministri Kurti po ashtu theksoi se propozimi evropian merr elemente të shumta të marrëveshjes mes dy Gjermanive.
Kurti foli edhe për Asociacioni për të cilin tha se merr kompetenca të mëdha nëse formohet, pasi bëhet si një nivel i tretë i pushtetit për komunitetin serb.
“Asocacioni i komunave bëhet një nivel i tretë i pushtetit që përfaqëson serbët karshi Prishtinës, që merr mbështetje nga Beogradi. Praktikisht, bëhet si një lloj entiteti autonom që ka lidhje vertikale me Beogradin. Do të thotë një lloj shteti brenda shtetit. Pikërisht, sikurse Republika Serbe që është në Bosnje”, deklaroi Kurti
Kryeministri Kurti konsideron se duhet të merren mësimet nga Bosnja, për t’i mos përsëritur ato në Kosovë. Ai tha se Republika Serbe ia ka sabotuar shtetësinë Bosnjës, derisa vetë e ka marrë primatin e të qenit Republikë brenda saj.
“Republika Serbe e ka sabotuar shtetësinë e Bosnje-Hercegovinës. Bosnja-Hercegovina është një shtet që s’është Republikë e megjithatë e ka brenda një jo shtet që është Republikë. Edhe atje 14 komuna janë bërë bashkë në ’91-in, shpallën pavarësi, morën Kushtetutën dhe në fund njohjen ndërkombëtare. Prandaj ne duhet të nxjerrim mësimet nga Bosnja, që të mos i përsërisim në Kosovë”, tha ai.
Ndër të tjera, Kurti ka folur edhe për të drejtat që gëzon komuniteti serb në Kosovë, por thotë se Serbia dëshiron që t’i territorializojë këto të drejta.
“Serbët në Kosovë janë rreth 4% ndërkohë në administrim marrin rreth çerekun e territorit, teksa kanë 10 ulëse të rezervuara në Kuvendin e Republikës. Kanë edhe të drejtën e vetos për ligjet me rëndësi jetike. Serbia kërkon territorializimin e këtyre privilegjeve, pra nuk dëshiron më shumë të drejta për serbët por më shumë territorializim të të drejtave.”
“Qëllimi i Beogradit zyrtar është i qartë, synim i integritetit territorial dhe në anën tjetër defunksionalizim i shtetit”, tha ai.
Foli edhe për raportet e tij me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Kurti tha se me Ramën ka raporte kryesisht të mira, por se kjo nuk do të thotë që pajtohen në çdo piikë.
Kryeministri Kurti tregoi edhe për një pikë ku nuk pajtohet me Ramën, dhe ajo ka të bëjë me përshtypjet e të dyve për “Ballkanin e Hapur”.
“Kjo nuk do të thotë se pajtohemi çdo herë me gjithçka. Besoj që dallimi i cili është më i njohuri publikisht është raportet në rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
“Unë besoj që Ballkani Evropian dhe demokratik është mjaftueshëm i hapur, ndërkohë që “Ballkani i Hapur” nuk është mjaftueshëm demokratik dhe evropian”, tha ai tutje.
Ndër të tjera, kreu i ekzekutivit të Kosovës foli edhe për bashkimin kombëtar, duke e cilësuar si një “ideal të rilindasve tanë” ndaj të cilit” jemi në shërbim”.
“Ky ideal është i rilindasve tanë dhe nuk është një ideal që e përzgjedhim ne. Besoj që është një intencë historike që na ka përzgjedhur neve. Dhe në këtë kuptim, ne jemi në shërbim të tij”, tha ai.