Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para Krishtlindjeve kishte kërkuar takim me komandantin e KFOR-it pasi këta të fundit nuk po hiqnin barrikadat në veri të vendit. Ky takim ku Kurti thoshte se ‘do të sqaronte gjithçka’ ka ndodhur por në bazë të njoftimit të Qeverisë, megjithatë nuk është sqaruar gjithçka.
“Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.” – është fjalia më domethënëse e këtij njoftimi qeveritar për takimin.
Në këtë takim, Kurti përveç komandantit të Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral Major Angelo Michele Ristuccias, takoi edhe shefin e EULEX-in, Lars Gunnar Wigemarkun.
“KFOR-i ka kërkuar kohë ne e kemi dhënë atë kohë, por meqë sonte është Krishtlindja ne duhet ta kemi shumë shpejt, pas Krishtlindjeve, një takim me komandantin e KFOR-it e në të cilin besoj se do të sqarojmë gjithçka. Por kjo s’mund të tolerohet pafundësisht. U bënë dy javë e s’mund të lejojmë që edhe javë e javë të kalojnë e të mos kemi lirinë e lëvizjes. Nga ai takim që e presim menjëherë pas Krishtlindjeve besoj se do të sqarohet gjithçka e do të japim përgjigje,” – kishte thënë z. Kurti në një konferencë para Krishtlindjeve.
Por, çka bëri vaki tash në këtë takim?
Duhet të kujtojmë se shumë eksponentë të Vetëvendoses kishin kritikuar KFOR-in që nuk po hiqte barrikadat. Ndërkohë, sot është dita e 17 e tyre, me serbët që po kërkojnë largimin e policisë speciale nga veriu dhe lirimin e Dejan Pantiqit.
Njoftimi i plotë:
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, priti në takim komandantin e Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR), Gjeneral major Angelo Michele Ristuccia dhe Shefin e EULEX-it, z. Lars Gunnar Ëigemark
Në takimin e përbashkët me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, u bisedua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës, Forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë. U fol edhe lidhur me veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend.
Konstatim i përbashkët nga ky takim është se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë.
Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it.
U theksua profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës./Nacionale