Kryeministri Albi Kurti ka pritur në takim deputetët nga Grupi Parlamentar për Punë të Jashtme të Italisë, Emanuele Loperfido dhe Lia Quartapelle Procopio.
Kurti ka falënderuar ata për mbështetjen e Italisë ndaj Kosovës.
“Përgjatë bisedës, kryeministri theksoi marrëdhëniet e mira mes dy vendeve tona dhe i falënderoi për mbështetjen e vazhdueshme të Italisë ndaj Republikës së Kosovës, duke përmendur dhe fushën e sigurisë ku Italia ka pjesëmarrje të lartë në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR-in, që tregon për përkushtimin e qëndrueshëm ndaj sigurisë dhe paqes në Kosovë dhe rajon”.
Ai ka folur edhe për integrimin e komuniteteve pakicë.
“Më tej, ai i njoftoi deputetët me progresin demokratik dhe ekonomik të vendit tonë të dëshmuar edhe nga rankimet ndërkombëtare, e po ashtu veçoi programin e qeverisë, sidomos politikat e ndërmarra për zhvillim të qëndrueshëm, shpërndarje të barabartë e barazi sociale. Duke folur për integrimin e komuniteteve pakicë, kryeministri theksoi kornizën e avancuar ligjore të Kosovës dhe të drejtat e garantuara me kushtetutën e vendit tonë, që shkojnë edhe përtej standardeve evropiane, të drejta këto të njohura e konstatuara edhe nga raporti i juristëve eminentë të Këshillit të Evropës”.
Kurti ka kërkuar mbështetjen e Italisë për anëtarësimin në KiE.
“Nga parlamentarët italianë kryeministri Kurti kërkoi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, si vendi më demokratik në Ballkanin Perëndimor. Kjo mbështetje është afirmim i vlerave të Këshillit të Evropës dhe njohje e progresit demokratik të shtetit tonë”.