Kurti takohet në Paris me Bernard Kouchner, flasin për intervenimin e NATO-s, periudhën e pasluftës e deri në shpalljen e pavarësisë

Kryeministri Albin Kurti është takuar në Paris me ish ministrin francez dhe Përfaqësuesin e parë Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Bernard Kouchner.

Në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit thuhet se ata kanë diskutuar për suksesin e intervenimit të NATO-s në pranverë të vitit 1999, edhe për periudhën e pasluftës në Kosovë e deri në shpalljen e pavarësisë së saj.

“Kryeministri Kurti dhe ish-ministri Kouchner ndanë këndvështrimet e tyre mbi ngjarjet politike të asaj kornize kohore, arritjet e Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe tash sukseset e shtetit të Kosovës 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 25 vjet pas çlirimit të vendit. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e z. Kouchner fillimisht në periudhën 1999-2001 në rolin e tij të përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, dhe pastaj gjatë viteve 2007-2010 si ministër i Punëve të Jashtme të Francës gjatë së cilës kohë, vendi ynë shpalli pavarësinë dhe u njoh nga Franca”, thuhet në njoftim.

Kouchner ka qenë i ftuar për  organizimet shtetërore për 25-vjetorin e çlirimit, por nuk ka arritur të marrë pjesë. Kurti ka thënë se e mirëpresin sa më parë që është e mundur.

Ndryshe, Kurti po qëndron në Francë në mbështetje të ekipit olimpik të Kosovës.

Njoftimi i plotë:

Në kryeqendrën e Francës, ku po qëndron në mbështetje të ekipit olimpik të Kosovës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pati një takim miqësor me ish-ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Bernard Kouchner, njëherësh Përfaqësuesi i parë Special i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Së bashku diskutuan për suksesin e intervenimit të NATO-s në pranverë të vitit 1999, edhe për periudhën e pasluftës në Kosovë e deri në shpalljen e pavarësisë së saj. Kryeministri Kurti dhe ish-ministri Kouchner ndanë këndvështrimet e tyre mbi ngjarjet politike të asaj kornize kohore, arritjet e Kosovës dhe komunitetit ndërkombëtar, dhe tash sukseset e shtetit të Kosovës 16 vjet pas shpalljes së pavarësisë dhe 25 vjet pas çlirimit të vendit. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e tij për kontributin e z. Kouchner fillimisht në periudhën 1999-2001 në rolin e tij të përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, dhe pastaj gjatë viteve 2007-2010 si ministër i Punëve të Jashtme të Francës gjatë së cilës kohë, vendi ynë shpalli pavarësinë dhe u njoh nga Franca.

Të dy u shprehën të kënaqur për mundësinë për t’u takuar, pasi për arsye logjistike, z. Kouchner, nuk arrit të marrë pjesë në organizimet shtetërore në shënim të 25-vjetorit të çlirimit, muajin që lamë pas. Kryeministri tha se e mirëpresim në Kosovë sa më parë që është e mundur.