Kurti takohet me partnerët e koalicionit qeverisës, diskutojnë edhe për zgjedhjet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot gjatë ditës ka zhvilluar një darkë pune me partnerë të koalicionit qeverisës dhe përfaqësues të komuniteteve jo shumicë në Kuvend.

Kurti theksoi rëndësinë e vendimmarrjes së përbashkët për proceset e ardhshme demokratike, përfshirë edhe diskutimin se cila është koha më e përshtatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që pritet të mbahen së shpejti.

“E rëndësishme ishte gjithashtu mbështetja e partive të komuniteteve jo shumicë dhe konfirmimi i angazhimit të Qeverisë dhe Kryeministrit për ngritjen dhe fuqizimin e përfaqësimit të komuniteteve dhe mbështetja e vazhdueshme për ta me projekte konkrete”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.

I pari i Qeverisë ishte i shoqëruar edhe nga shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.

Në takim të pranishëm ishin: zëvendëskryeministrja Emilija Rexhepi, ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe ministri për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, kryetari i Grupit Parlamentar multietnik Enis Kervan, nënkryetari i Kuvendit, Bahrim Shabani, deputetët, Fidan Jilta, Fridon Lala, Duda Balje, Samra Ilijaz, Bekim Arifi dhe Erxhan Galushi, me të cilët bisedoi për agjendën legjislative dhe rëndësinë e dinamikës së miratimit të Marrëveshjeve Ndërkombëtare dhe ligjet e rëndësisë së veçantë.