Pas takimit dypalësh me Presidentin e Zvicrës, Alain Berset, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, mirëpritën në ndërtesën e Ambasadës së Kosovës në Bern, kandidatët shqiptarë në zgjedhjet federale 2023.
Në një bashkëbisedim të hapur, kryeministri Kurti i përgëzoi ata për angazhimin e tyre publik e politik në Zvicër, duke e konsideruar atë si dëshmi të mirëintegrimit të shqiptarëve atje, por edhe si shumë të rëndësishëm për demokracinë.
Diskutuan për lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës dhe rolin e potencialin e bashkëpunimit ndërmjet Qeverisë dhe mërgatës në fushën e ekonomisë, edukimit dhe shëndetësisë.
Kryeministri i njoftoi të pranishmit me disa prej zhvillimeve kryesore në vend dhe politikave prioritare të qeverisë, teksa nga kandidatët u njoftua më shumë për temat e tyre elektorale.
Ai i uroi të gjithë kandidatëve suksese në fushatën zgjedhore dhe në ditën e zgjedhjeve.
Në zgjedhje e 22 tetorit janë 30 kandidatë shqiptarë nga pothuajse secila parti politike që garojnë për ulëse në Këshillin Kombëtar. Ky është numri më i madh i kandidatëve shqiptarë në ndonjë palë zgjedhje.