Kurti s’lëviz, çfarë do të vendoset në Washington dhe Bruksel?

Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak nuk morën përgjigje pozitive nga Albin Kurti për tri kërkesat që ata i patën për shtensionimin e situatës në veri, në një takim të para një jave që zgjati mbi dy orë.

Kryeministri i Kosovës, ndërkaq, i ka paraqitur kërkesat e veta. Pasi mbeti i pakënaqur me rezultatet e takimit, i dërguari i SHBA-së tha se pasi ai të raportojë në Shtëpinë e Bardhë do vendoset se si do të veprojë më tej Washingoni. Edhe i dërguari i BE-së tha se do t’i njoftojë vendet anëtare mbi rezultatet nga vizitat në Prishtinë e Beograd dhe për “hapat e ardhshëm”.

Kryeministri Albin Kurti nuk ka lëvizur nga qëndrimi i tij për situatën në veri të vendit, për shkak të të cilit Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë paralajmëruar se do t’i bartë pasojat. Ai tha të dielën në një mbledhje të Këshillit të Përgjithshëm të partisë se s’do të lëshojë pe përballë asaj që ai e quajti “përpjekje për ta shembur sistemin tonë institucional”.

Mbledhja e partisë dje ishte vetëm rasti i radhës ku Kurti i përsëriti kërkesat e tij për shtensionimin e situatës në veri, të cilat ditët e fundit i ka përmendur disa herë. Zgjedhjet e reja në katër komunat veriore i pranon, por thotë se “deri atëherë kryetarët e ligjshëm do të ushtrojnë funksionin e tyre pa pengim”. Serbët “duhet të dalin në zgjedhje dhe jo t’i bojkotojnë”, thotë kryeministri, duke theksuar se ato duhet të jenë fer dhe demokratike, e të mos ketë kërcënime.

Prania e Policisë në veri “do të mund të zvogëlohej në mënyrë proporcionale”, tha Kurti në mbledhje, duke theksuar paraprakisht se kjo mund të bëhet vetëm “në përputhje me situatën e sigurisë dhe largimin e këtyre bandave kriminale dhe arrestimin e tyre”.

Ai tha se edhe “dialogu për zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike duhet të intensifikohet”, duke kërkuar “sekuencim të balncuar dhe fer të zbatimit”.

Pikërisht në këtë fjalim sinjalizoi se nuk do të tërhiqen pjesëtarët e njësisë speciale.

“Për shkak të grupeve kriminale, ekstremistëve të dhunshëm ne jemi të detyruar që ta kemi aty Njësinë Speciale e cila e mbron kryetarin tonë, kryetarin e Leposaviqit i cili do t’u shërbejë të gjithë qytetarëve pa dallim” tha dje Kurti.

Escobar dhe Lajçak u kthyen nga Prishtina pa rezultat, çka tash?

Para një jave, të dërguarit e posaçëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, Gabriel Escobar dhe Miroslav Lajçak u takuan me kryeministrin Albin Kurti në Prishtinë në një mision dyditor, siç e quajtën vetë ata.

Nga shefi i Qeverisë kosovare, diplomatët perëndimorë kërkuan tri gjëra: qetësimin e situatës në veri (që nënkupton edhe tërheqjen e kryetarëve nga objektet komunale për të punuar në zyra alternative), mbajtjen e zgjedhjeve të reja dhe kthimin në dialog.

“Duhet të merremi vesh për këtë sot dhe nesër sepse të premten unë dhe Lajcak duhet t’u raportojmë eprorëve tanë se a ishim të suksesshëm apo jo”, tha Escobar të martën e javës së kaluar në një takim me gazetarë, ku u shpreh hapur edhe se kishin “disa sfida në marrëdhëniet me kryeministrin”.

Ditën pasuese, Kurti tha se “nuk kam marrë kurrfarë ultimatumi” dhe se e ka ofruar një “mënyrë të sigurt se si të kemi një dalje të qëndrueshme nga kriza në veri”.

Escobar tha të dielën në një intervistë për Institutin për Politikë dhe Ekonomi të Europës Juglindore në Beograd se është ftuar të raportojë në Shtëpinë e Bardhë për këtë çështje dhe se pritet të vendoset se si do të veprojë më tej Washingoni.

“Jam ftuar që Shtëpisë së Bardhë t’i raportojë për rezultatet e vizitës sonë në Beograd dhe Prishtinë. Në bazë të përparimit apo mungesës së tij do të vendosim për drejtimin e veprimit tonë”, tha Escobar.

Lajçak njoftoi gjithashtu se do t’i informojë vendet anëtare mbi rezultatet e “misionit” dhe “hapat e ardhshëm”. Diplomati europian shkroi të dielën në Facebook se ai dhe Escobar kishin shpresuar për më shumë rezultat gjatë vizitave në Prishtinë dhe Beograd dhe theksoi se “pavarësisht disa sinjaleve pozitive, tensionet janë ende të larta”.

“Kështu, pas një ndalese të shkurtër në Takimin Vjetor të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë në Stokholm, ku pata rastin të bisedoj me një numër njerëzish nga Europa dhe SHBA, tani jam kthyer në Bruksel për të informuar BE-në dhe Shtetet Anëtare mbi gjetjet e mia dhe hapat e ardhshëm”, shkroi Lajçak.

SHBA-ja dhe BE-ja e shohin përgjegjës Kurtin për tensionimin e situatës në katër komunat veriore, pasi kryetarët e rinj shqiptarë atje u futën në objektet komunale me ndihmë të Policisë. Për këtë çështje u tha se Kryeministri s’i ka dëgjuar këshillat e Washingtonit dhe për pasojë, FSK-ja para tri javësh u përjashtua nga ushtrimi i madh ndërkombëtar i udhëhequr nga Ushtria Amerikane, “Defender Europe ’23”. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier kishte thënë se kjo ishte “pasoja e parë”, katër ditë pasi Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, kishte paralajmëruar se veprimet e Qeverisë në veri “do të rezultojnë me pasoja në marrëdhëniet bilaterale me Kosovën”./Expresa