Kryeministri i Kosovës s’e mohon më se po përzihet në garën zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.
E kishte mohuar një herë në Shkup, por më pas në Prishtinë i kishte mbledhur disa përfaqësues të partive opozitare shqiptare dhe e kishte inkurajuar Arben Taravarin që të garonte për president. Në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mërkurën, ai pa kandidatin e tij të humbte thellë përballë Bujar Osmanit të BDI-së së udhëhequr nga Ali Ahmeti. Por Albin Kurti s’ka hequr dorë. Këshilltari i tij dhe dy gra nga Lëvizja Vetëvendosje do të garojnë për deputetë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit në RMV.
Mbështetja e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti nuk i vleu. Arben Taravari u desh të përballej mbrëmë me humbjen në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në Maqedoninë e Veriut.
Kandidati i koalicionit të opozitës shqiptare në RMV me akronimin VLEN, garën e vërtetë të mërkurën e kishte me Bujar Osmanin, kandidatin e koalicionit Fronti Evropian, nga i cili u mposht bindshëm.
Ndërsa janë numëruar pothuajse 100% të votave, kandidatja e VMRO-DPMNE-së për presidente të Maedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova prin në rundin e parë të zgjedhjeve presidenciale duke marrë 362.682 vota, apo 40,08%. Stevo Pendarovski, presidenti aktual maeqdonas nga LSDM-ja renditet i dyti me 180.306 vota (19,93%). Ata do të garojnë në një rund të dytë votimi më 8 maj.
Për Osmanin dhe Taravarin, e rëndësishme ishte gara ndërmjet tyre.
Ministri shqiptar i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut nga BDI-ja, partia më e madhe e shqiptarëve në RMV, ka marrë 120.903 vota (13.36%). Ndërsa kryetarit të Gostivarit nuk i mjaftoi mbështetja nga Lëvizja Vetëvendosje që qeveris në Kosovë për të marrë më shumë se 83.356 vota (9.21%). Diferenca: afro 40 mijë.
“Më lejoni që para jush të shpall fitore të thellë me dallim mbi 40 mijë vota. Edhe një herë, se ndoshta nuk u dëgjua mirë, fitore të thellë me dallim mbi 40 mijë vota”, tha Bujar Osmani në një konferencë për media pas mbylljes së vendvotimeve, duke i thënë kandidatit të tij se kishin “një fushatë shumë të ndershme”, pavarësisht “goditjeve të ulëta” dhe që ta pranojë humbjen.
Në VLEN janë të vetëdijshëm se kanë para vetes një synim të vështirë: të mundohen të fitojnë në zgjedhjet parlamentare të 8 majit.
“Tashmë e dimë që këto zgjedhje kanë pjesëmarrje shumë të madhe, shumë më masive në krahasim me zgjedhjet tjera, dhe çdoherë kur ka masivitet në zgjedhje kjo paralajmëron ndryshimin”, tha Arben Taravari në një konferencë për media. “Tërmeti nisi sot, me pjesëmarrjen masive, por dridhjet e fundit do të jenë më 8 maj, kur do të jenë zgjedhjet parlamentare”, tha ai. Partnerët e tij në koalicion premtuan se do ta përmbysin rezultatin për të cilin e akuzuan BDI-në se “e mori me mjete kriminale”.