Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka vazhduar të insistojë se serbët u tërhoqën nga institucionet e Kosovës pas presionit nga Beogradi, pasi që ky i fundit refuzoi planin franko-gjerman.
Në një intervistë për DW, Kurti u bëri sërish thirrje serbëve që të mos i braktisin institucionet.
“Kam bërë thirrje që ata të mos japin dorëheqjen sepse institucionet nuk janë të miat. Institucionet u përkasin njerëzve dhe shtetit dhe ato na shërbejnë të gjithëve. Dhe unë, si kryeministër, jam shërbëtori kryesor. Unë u shërbej të gjithë njerëzve pavarësisht etnisë, pavarësisht identitetit kombëtar. Dhe ja përse unë u bëj sërish thirrje atyre që mos t’i braktisin institucionet, mos t’i lënë ato, të mos japin dorëheqje. Ata duhet të punojnë bashkarisht me ne. Kjo situatë ka krijuar një lloj boshllëku, por ne po bëjmë të pamundurën në mënyrë që shërbimet publike të jenë aty për njerëzit dhe askush të mos vuajë nga këto dorëheqje”, ka thënë Kurti.
Kreu i Qeverisë së Kosovës tha se lajmi për këtë u dha nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili ishte zëdhënës i kriminelit Slobodan Milosevic.
“Kjo situatë është krijuar sepse Beogradi e refuzon propozimin Franko-Gjerman dhe kjo dramë është krijuar për të mbuluar refuzimin. Ata e kanë diskutuar këtë propozim në takimin e Këshillit të Sigurisë në Beograd dhe ai është refuzuar në mënyrë unanime. Pra, të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurisë në Serbi votuan kundër propozimit. Dhe njoftimi u dha nga ministri i Jashtëm i Serbisë, i cili në të shkuarën ka qenë zëdhënës i Miloshevicit. Ai tha se e kishin refuzuar propozimin franko-gjerman dhe më pas sajuan këtë dorëheqje kolektive nga institucionet tona, të policëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë”, tha ai.