Kurti: Serbia po e shkelë marrëveshjen, ndërmjetësit nuk po e dënojnë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për ATV-në pas përfundimit të Forumit të Paqes në Paris, tha se nga marrëveshja bazike, Kosova përfiton njohjen de facto nga ana e Serbisë, por kjo e fundit sipas tij, nuk po e zbaton dhe po e shkelë atë.

Marrëveshja bazike është njohje de facto. Problemi është që Serbia nuk po e zbaton dhe po e shkelë. Marrëveshja bazike është njohje de facto. Ajo duhet respektuar dhe duhet zbatuar. Në vend që të respektohet dhe të zbatohet, Serbia as s’po e zbaton edhe po e shkelë. Nuk më përket e vetëm mua të flas si palë në anën tjetër të tryezës, i përket ndërmjetësve që ta thonë këtë gjë hapur”, tha Kurti.

Ai kritikoi ndërmjetësuesit se nuk po e ndëshkojnë Serbinë për shkelje të marrëveshjes.

Nëse marrëveshja është valide, e pa tjetër që është valide, atëherë pala e cila e shkelë do të duhej ta dëgjonte vërshëllimën e arbitrit, referit që nuk guxon të vazhdohet me dhunim të marrëveshjes siç po bën presidenti i Serbisë, qoftë atëherë kur votoi me 24 prill kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës apo edhe atëherë kur po bënë sulme terroriste e kriminale e që i sponsoron sikurse në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator”, tha Kurti.