Kryeministri Albin Kurti, tha se pas sulmit terrorist në veri është dëshmuar se Serbia është e përkushtuar që të shkatërrojë ura të bashkëpunimit, e jo të kontribuojë në ndërtimin e tyre.
Në shënimin e Ditës Kombëtare të Boshnjakëve, kreu i Qeverisë, shtoi se Policia e Kosovës ka treguar vendosmëri për rend e qetësi.
Sipas tij, rreshteri i vrarë, Afrim Bunjaku, ka rënë në mënyrë heroike, duke treguar se e ka dashur shtetin para se gjithash.
Kurti në këtë ceremoni pohoi se Qeveria është e vendosur për shtet të së drejtës e të barabartës për të gjithë, për çka e falënderoi komunitetin boshnjak për kontributin.
“Të gjithë jemi dëshmitarë të ngjarave të fundit, sulmi terrorist në veri ka treguar për pohimet tona të para hershme. Kjo tregon përkushtimin e Serbisë që të shkatërrojë ura, e jo t’i ndërtojë ato. Policia ka treguar vendosmërinë dhe ka treguar se ka dashur rend e qetësi. Polici ynë Afrim Bunjaku ka rënë në mënyrë heroike, e ka humbur jetën, duke treguar që dashuria për shtetin është para të gjithave”.
“Mundohemi për jetë të përbashkët e të gjitha komuniteteve e barazi për të gjithë. Jemi falënderues ndaj komunitetit boshnjak që ka kontribuar në ndërtimin e shtetit tonë dhe që marrin pjesë ne nxjerrjen e vendimeve të rëndësishme. Qeveria është e përkushtuar në sundimin e ligjit në luftën kundër kriminalitetit. Ky është tregues që kjo shoqëri mund të arrijë. Nuk mund të ketë demokraci pa të drejta të njeriut e pa sundim të ligjit. Ne përkujdesemi për të gjithë qytetarët. Kemi ndarë 3 milionë euro për komunitetet”./EO/