Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti duket ta ketë refuzuar në parim idenë e Ramës për konferencë ndërkombëtare.
Të paktën kështu është parë me deklaratën e djeshme të tij në Prizren.
Ai ka thënë se të tilla konferenca ka pasur në të kaluarën, ndërsa tani kanë një marrëveshje bazike.
“Ne kemi pasur konferenca ndërkombëtare në të kaluarën dhe tash kemi një marrëveshje bazike, nga 27 shkurti i këtij viti, në Bruksel dhe gjithashtu nga 18 marsi në Ohër me aneksin e zbatimit. Krejt çka duhet bërë është që pa kushte të implementohet ajo marrëveshje bazike në tërësinë e saj dhe në mënyrë fer e të balancuar. Kjo duhet të bëhet dhe ne për këtë angazhohemi në Bruksel në takimet që kemi”, tha Kurti para gazetarëve dje gjatë ditës në Prizren.