Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë ditës sot mirëpriti Ambasadorin jo rezident të Bangladeshit në Kosovë, Mosharraf Hossain Bhuiyan.
Marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme e me interes dypalësh ishin temat kryesore të takimit. Theks iu dha fushës së ekonomisë dhe kulturës.
Kryeministri Kurti i uroi mirëseardhje në Kosovë ambasadorit Bhuiyan në vizitën e tij të tretë në vend. Ai e falënderoi për mbështetjen e Bangladeshit ndaj Kosovës dhe për bashkëpunimin në rritje, teksa e njohu me zhvillimet e fundit në vend dhe rezultatet e qeverisjes. Mirënjohës për mikpritjen dhe raportet, ambasadori i përcolli kryeministrit Kurti ftesën nga kryeministri i Bangladeshit për vizitë atje.
Folën për mundësitë dhe potencialin e përmirësimit të shkëmbimeve tregtare në vitet në vijim. Këtu u veçua rëndësia për të dy vendet e largimit të tatimit të dyfishtë. Mbi 70 kompani me kapital nga Bangladeshi janë të regjistruara në Kosovë.
Në takim u fol edhe rreth mundësive të bashkëpunimit në fushën e kulturës, sportit dhe rinisë.
Bashkë me kryeministrin Kurti në këtë takimi ishte edhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti.