Kurti pret ambasadorin e ri shqiptar, theksohen raportet vëllazërore Kosovë-Shqipëri

Kryeministri Albin Kurti, ka takuar këtë të martë ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj.

Kurti si nikoqir duket e përgëzuar Malajn për detyrën e re, ka theksuar marrëdhëniet vëllazërore mes dy shteteve.

Temë e bisedës mes tyre ka qenë rajoni i Ballkanit Perëndimor, “ku bashkëpunimi midis shteteve duhet të jetë i bazuar në demokraci e siguri, në orientimin dhe vlerat e NATO-s dhe BE-së”.

“Kryeministri Kurti veçoi marrëveshjet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, zbatimi i të cilave forcon marrëdhëniet tona dhe i sjellë qytetarët më pranë njëri-tjetrit. Ato kanë ndikim të drejtpërdrejtë e pozitiv në jetën e tyre, të bizneseve e më gjerë”, thuhet në kumtesë, përcjell KlanKosova.tv.

Malaj në anën tjetër ka shprehur përkushtimin e tij për të çuar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve.