Kurti përkujton Agim Hajrizin, Latif Berishën dhe Bajram Kelmendin: Vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar Agim Hajrizin, Latif Berishën dhe Bajram Kelmendin në përvjetorin e vrasjes së tyre.

Kurti ka shkruar se serbët vranë tre veprimtarë shqiptarë, në Mitrovicë kryesindikalistin Agim Hajrizi dhe politikanin Latif Berisha, e në Prishtinë avokatin Bajram Kelmendi.

“Teksa aeroplanët e NATO-s nga qielli filluan bombardonin e caqeve të forcave serbe, si përgjigje ndaj krimeve të Serbisë së Millosheviqit në Kosovë, kriminelët serb vranë tre veprimtarë të njohur shqiptarë. Në Mitrovicë vranë kryesindikalistin Agim Hajrizi dhe politikanin Latif Berisha, e në Prishtinë vranë avokatin Bajram Kelmendi.”

Kurti tha se Hajrizi u vra në shtëpinë e tij bashkë me nënën dhe të birin.

“Agim Hajrizi, sindikalisti i paepur, Kryetari i Kuvendit të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, kryetar i organizimit komunal në Mitrovicë në vitet e ’90-ta, u vra në shtëpinë e tij, bashkë me nënën Nazmije dhe të birin 11 vjeçar, Ilirin.”

Berisha, Kurti thotë se u vra në prag të shtëpisë së tij.

“Latif Berisha, politikan e intelektual, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe e autor i shumë studimeve, udhëheqës i pajtimit të gjaqeve, u vra nga forcat serbe në prag të shtëpisë së tij në Mitrovicë, në natën e 24 marsit.”

Kurti shtoi se Bajram Kelmendi u rrëmbye nga shtëpia bashkë me dy djemtë më 24 mars, ndërsa u gjet i vrarë më 26 mars.

“Bajram Kelmendi, juristi i shquar dhe avokat aktiv në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut, u rrëmbye nga shtëpia bashkë me dy djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin, nga policët serbë që i hynë dhunshëm në shtëpi në natën e 24 marsit 1999. Më 26 mars, ata u gjetën të vrarë.”

Ai ka thënë se vepra e tyre nuk shlyhet prej kujjtesës.

“Vepra e tyre nuk shlyhet prej kujtesës. E përkujtojmë dhe e ruajmë historinë e aktivizmit intelektual dhe angazhimit politik të verpimtarëve tonë ndër breza. I përjetshëm qoftë kujtimi për Agim Hajrizin, Latif Berishën dhe Bajram Kelmendin! Lavdi të gjithë atyre që u vranë nga Serbia pushtuese, në rrugëtimin tonë për lirinë e Kosovës!”