Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për televizionin publik ka folur për zhvillimet e fundit në vend, duke përfshirë moszbatimin e marrëveshjes me Serbinë dhe qasjen e Bashkimit Evropian ndaj palëve.
Kurti tha se problemet pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë kanë nisur pasi Brukseli nuk e ka sanksionuar shtetin serb për shkelje.
Ai madje hodhi akuza edhe ndaj disa diplomatëve perëndimorë, pa i përmendur me emra sa i përket qasjes së Serbisë.
Sipas tij, BE-ja nuk e ka përdorur fuqinë si arbitër në procesin e dialogut, duke e quajtur si kujdes të tepruar ndaj Serbisë.
“Problemet lindën kur Brukseli nuk e përdori fuqinë e tij, obligimin si arbitër që ta sanksionojë Serbinë sa herë ka shkelje të marrëveshjes. Sot jemi në këtë situatë sa i përket marrëdhënieve me Serbinë për shkak se arbitrit nuk e kanë qortuar e lëre më sanksionuar Serbinë. Nuk mund të përgjigjem pse, por mund të jap një vlerësim. Është një lloj brenge, nëse ndëshkohet Serbia, ajo do të shkojë në Rusi, thu se tash nuk e ka bërë këtë gjë. Ka shumë diplomatë në perëndim që duan të besojnë se Serbia ende nuk ka shkuar në Federatën ruse. Kujdesi i tepruar ndaj Serbisë nuk u shpagua, por dëmi është bërë.” – tha Kurti