Kurti para zgjedhjeve kthen kartën e barazisë, thotë se pushtetarët nuk duhet të jenë milionera

Gjatë muajit të kaluar, ne këtu në Kosovë patëm rastin të mësojmë se sa janë pasuruar përgjatë vitit zyrtarë publikë. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ndërkaq, gjatë një diskutimi të tij derisa po qëndron në Londër, foli pikërisht për çështjen e pasurisë. “…ne që jemi në politikë, duhet të jemi klasë e mesme”.

Këto janë edhe fjalët që shefi i Qeverisë së Kosovës, thotë se ua ka thënë kolegëve të tij nga qeveria e partia, Lëvizja Vetëvedosje.

“U them të gjithë kolegëve të mi nga qeveria dhe parlamenti, ne që jemi në politikë, duhet të jemi klasë e mesme, ata që duan të bëhen të pasur, e ligjshme, por provoni aftësitë, njohurinë dhe fatin tuaj në biznes, jo në institucione. Jo milionera, multi-milionera në institucione të shtetit. Mendoj që mund të duket e ashpër, por është shumë ndihmuese për ne.” – tha Kurti gjatë një bisede në “ODI”.

Derisa po fliste për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, Kurti përmendi se raste të tilla ka edhe brenda institucioneve:

“Në anën tjetër, kemi qenë shumë të ashpër në luftimin e korrupsionit brenda isntitucioneve të sistemit, kështu që, përafërsisht 400 njerëz që janë arrestuar për korrupsion, 10 për qind gati, kun ë një mënyrë ose tjetrën punojnë me institucione apo për institucionet. Nuk mund ta luftojmë korrupsionin, nëse nuk zhvillojmë së pari vetkritikë brenda instituccioneve, dhe veprime konkrete sepse zyrtarët e shtetit janë aty për të shërbyer, dhe jo për t’u kënaqur në pozitat e tyre”.

Pasuria

Sidoqoftë, duke u ndërlidhur me deklaratat e kryeministrit Kurti, risjellim në vëmendje se sa janë të pasur disa prej njerëzve më të afërt të tij, dhe ata që mbajnë pozita të larta shtetërore.

Siç kishte raportuar media Nacionale, veç një shtëpi e një lokal që i ka në pronësi të përbashkët, e bëjnë milioner ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Sipas asaj që ka deklaruar në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit për vitin 2024, Sveçla ka një shtëpi të trashëguar nga prindi në vlerë 600 mijë eurove.

Ai e ka edhe një lokal të trashëguar nga prindi po ashtu, në vlerë të 650 mijë eurove. Ministri është pronar edhe në dy biznese.

E njohur edhe si kursimtarja e Qeverisë së Kosovës, Artane Rizvanolli, ministre e Ekonomisë, i ka të kursyera në banka gati 200 mijë euro.

Ai që merret me financat e shtetit, qëndron mirë me financa. Hekuran Murati zotëron mbi 40 mijë euro letra me vlerë.

Murati e ka një vlerë të madhe edhe të parave cash të ruajtura në bankë, që arrijnë shifrën mbi 20 mijë euro.

Ndërkohë, janë të paktën pesë deputetë në partinë e Kurtit, të cilët sipas deklarimeve të tyre të pasurisë, janë milionerë.

Bëhet fjalë për Gani Krasniqin, Jahja Kokën, Enver Halitin, Ekrem Mustafën e Halil Thaçin.

Sa i përket vet Kurtit, ai në emër të tij nuk ka ndonjë pronë. Tash e disa vjet, ai e deklaron një banesë në Oslo të Norvegjisë, në pronësi të bashkëshortes së tij, e cila kap vlerën e 400 mijë euro.