Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, e ka vizituar Panairin e Hannoverit. Aty për herën e parë po marrin pjesë edhe biznese nga Kosova.
Me këtë rast, Kurti ka takuar përfaqësues nga kompani të mëdha e prestigjioze si: Microsoft, Siemens, Schneider Electric, e Bosch Rexroth.
“Hannover Messe është panairi më i madh ndërkombëtarë që mbulon një gamë të gjerë të temave si automatizimi industrial, teknologjia e informacionit, furnizimet industriale, teknologjitë e prodhimit dhe shërbimet, energjia dhe teknologjitë e mobilitetit. Ai njihet si platformë kryesore për transformimin industrial në skenën ndërkombëtare dhe mbahet në Hanover të Gjermanisë nga data 22 deri më 26 prill 2024. Duke qenë panair me traditë dhe rëndësi, ai u vizitua edhe nga Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz”, thuhet në njoftimin e Qeverisë së Kosovës.
Pas pjesëmarrjes në panair, kryeministri Kurti dhe të tjerët zhvilluan një drekë pune të organizuar nga Këshilli i Jashtëm Ekonomik e ku bashkëbiseduan me sipërmarrës të kompanive të ndryshme gjermane. Ai i njohu ata me zhvillimin e vendit tonë, ambientin e të bërit biznes dhe mundësitë që ofron vendi ynë për investime.
Kreu i Qeverisë së Kosovës do të ketë edhe disa takime të rëndësishme në mbrëmje.
“Në mbrëmje kryeministri Kurti dhe delegacioni përcjellës janë të ftuar në darkën e shtruar nga Shoqata Federale e Industrisë Gjermane, Kryeministri i landit të Niedersachsen, Stephan Weil dhe Drejtori Ekzekutiv i Hannover Messe, ku i pranishëm do të jetë edhe ministri i Ekonomisë së Gjermanisë Dr. Robert Habeck”.
“Nesër, kryeministri Kurti do ta takojë Kryeministrin e landit Niedersachsen, Stephan Weil, kurse pasdite do të ketë një prezantim në panairin Hannover Messe, para takimeve tjera me kompani ndërkombëtare dhe mërgatën”.