Gjatë qëndrimit në kryeqytetin e Estonisë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi një takim me zëvendës ndihmës Sekretaren në detyrë të Departamentit të Shtetit amerikan, Allison Peters.
Sipas njoftimit nga Zyra e Kryeministrit në takim u diskutua për anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Qeveri të Hapur dhe për mundësitë e bashkëpunimit me agjencitë amerikane, sikurse USAID në zbatimin e Planit Kombëtar të Veprimit për OGP, me theks te shtylla e parë e këtij plani, përkatësisht te transformimi digjital.
“Falë vëmendjes së Qeverisë në transformimin digjital, sidomos me shërbimet në e-qeverisje dhe digjitalizimin në arsim, që pritet të përkthehet në investime prej 100 milionë euro në pesë vitet e ardhshme, synohet që të ofrojmë infrastrukturë sa më të përshtatshme për kompanitë e këtij sektori ashtu që të mund të zhvillohen sa më shumë”, thuhet në njoftim.